Ndërlidhjet


“New York Times”


Evropa iu përshtat moti, jo pa dhembje, vendit të zhdukur të saj në çështjet botërore. Pas Kanalit të Suezit për britanikët, dhe Algjerisë për francezët, u avulluan edhe iluzionet më kokëforta të pas Luftës së Dytë Botërore. Stafeta i kaloi Amerikës.

Nuk mendoj se luftërat në Irak dhe Afganistan paraqesin për Shtetet e Bashkuara atë që konflikti i Suezit dhe i Algjerisë paraqiste për Britaninë dhe Francën.

Por, të papërfunduara dhe të keqmenaxhuara, ato i kanë vënë kufijtë fuqisë së Shteteve të Bashkuara. Presidenti Obama është fokusuar në reduktimin e pritjeve të amerikanëve për “një epokë pa ceremoni të dorëzimit”.

Kështu, ai e përkufizoi epokën në fjalimin me rastin e 7-vjetorit të luftës në Irak. Ishte një fjalim i rallë i Obamës, i zgjuar, por jo nxitës, i vendosur dhe i kthellët, por jo solemn.

Obama e shpjegoi situatën si vijon: “Njëri mësim nga përpjekjet tona në Irak është se ndikimi i Amerikës në botë nuk është vetëm në funksion të forcës ushtarake. Ne duhet t’i përdorim të gjitha elementet e fuqisë sonë, përfshirë diplomacinë tonë, fuqinë tonë ekonomike dhe fuqinë e shembullit të Amerikës, që t’i sigurojmë interesat tona dhe të qëndrojmë pranë aleatëve”.

Në doktrinën Obama, fuqia nuk është të fitosh brenda një dite, ta zhdukësh armikun. Qëllimi i saj është më modest: t’i ndjekësh interesat e Amerikës dhe të miqve të saj.

Obama është realist në shembëlltyrën e shtetarit britanik të shekullit XIX, Lord Palmerston, i cili një herë deklaroi: ‘Ne nuk kemi armiq të përjetshëm dhe armiq të përhershëm. Interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme, dhe është detyra jonë që t’i ndjekim këto interesa’.

Ajo që mbizotëron tek Obama është bindja se Shtetet e Bashkuara “ende janë fuqia më e madhe, por jo fuqia vendimtare”, thotë Xhonatan Ejall, analist politik nga Britania e Madhe.

Obama, me butësi, por me këmbëngulje, po e zbret në tokë idenë se Amerika është e jashtëzakonshme dhe këtë po e bën në emër të interesit të ndërsjellë dhe respektit të ndërsjellë.

Ai po i minimizon ambiciet e Amerikës në emër të rindërtimit të Amerikës.

Logjika është në anën e tij. Siç vërejti vetë Obama, më shumë se një mijë miliardë dollarë janë shpenzuar në luftë që nga 11 shtatori 2001. Kjo është njëra arsye përse ekonomia e Shteteve të Bashkuara është në krizë. Tërheqja dhe rikonsolidimi, janë disa nga parakushtet për ringjalljen, të cilën Amerika është në gjendje ta bëjë.

Por, logjika nuk i fiton zgjedhjet. Fitorja heroike e Obamës në vitin 2008 ishte e qartë, por u shpenzua. Amerika nuk është në pozitën e Britanisë kur nga një perandori kolonialiste, u shndërrua në bashkësi të Komonuelthit.

Dilema politike e tij mund të reduktohet në një fjali: si të shpejtohet pulsi kur Amerika po vazhdon të tërhiqet nga luftërat, e të mos zhytesh në një luftë tjetër katastrofike, për shembull në Iran?!(v.p.)
XS
SM
MD
LG