Ndërlidhjet

Klinton: Pak kohë për arritjen e paqes


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka kërkuar nga palestinezët dhe izraelitët që të tejkalojnë pengesat për paqe. Klinton u shpreh se bisedimet e reja të sapofilluara “mund të jenë shansi i fundit për një kohë të gjatë” që të arrihet një marrëveshje.

Klinton i bëri këto deklarata për televizionet izraelite dhe palestineze, një ditë pasi nisi bisedimet e para direkte pas 20 muajsh.

Sekretarja Klinton tha se rritja e “ideologjisë kundërshtuese” së Iranit në Lindje të Mesme dhe “përkushtimi ndaj dhunës” nga ata që kundërshtojnë paqen janë arsye të fuqishme pse thuhet se ka pak kohë për këto bisedime.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmedinexhad ka hedhur poshtë idenë për bisedime paqësore duke i etiketuar si “të lindura të vdekura” dhe “të mallkuara”.

“Palestinezët dhe vendet e rajonit nuk do të lejojnë që asnjë pjesë e Palestinës t’iu shitet armiqve” tha Ahmedinexhad.

Irani përkrahë grupin militant palestinez Hamas që gjithashtu ka refuzuar bisedimet për paqe.

Administrata e Obamas kërkon arritjen e marrëveshjes paqësore brenda një viti. Kryeministri izraelit, Benxhamin Netanjahu dhe Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abaz, janë zotuar të enjten në Uashington se do përpiqen ta arrijnë këtë qëllim në një seri bisedimesh.
XS
SM
MD
LG