Ndërlidhjet

logo-print

Shtim i pranisë në Irak

  • RFE /RL

Bagdad, nga ceremonia e ndërrimit të operacioneve

Bagdad, nga ceremonia e ndërrimit të operacioneve

Më 31 gusht, presidenti amerikan, Barak Obama, ka njoftuar për arritjen e një momenti kyç në fushatën 7-vjeçare amerikane në Irak. Pas largimit të trupave luftarake dhe me vetëm 50 mijë ushtarë në Irak, prania amerikane në këtë vend çdo herë e më shumë do të bëhet civile.

“Derisa ushtria jonë zvogëlon praninë, civilët tanë të dedikuar, diplomatët, punonjës humanitarë dhe këshilltarë po marrin përsipër procesin e përkrahjes së Irakut derisa forcon qeverinë, tejkalon mosmarrëveshjet politike, rikthen personat e larguar nga luftimet dhe krijon lidhje me rajonin dhe botën”
, ka thënë Obama.

Sipas Departamentit të Shtetit, amerikanët do të ndryshojnë kahen e ndihmës së tyre nga rindërtimi i infrastrukturës në ofrimin e këshillave teknike në terren, si p.sh., shëndetësia dhe bujqësia.

Civilët do të udhëheqin iniciativat trajnuese për qeverinë dhe industrinë si dhe do të promovojë shumëllojshmërinë e ekonomisë irakiane, e cila dominohet nga sektori i naftës.

Më 11 tetor, Departamenti i Shtetit gjithashtu do të marrë përsipër përgjegjësinë për trajnimin e policisë irakiane. E gjithë kjo është pjesë e asaj që Agjencia për Zhvillim e SHBA-ve, USAID, e sqaron si një prej përpjekjeve më të mëdha amerikane për rindërtim që prej Planit Marshall.

Megjithatë, kapaciteti i ndërtimit që do ta marrin përsipër mijëra civilë amerikanë, krijon një grup sfidash të reja dhe dekurajuese. Si do ta mirëmbajë Departamenti Amerikan një prani enorme mobile në vendin që mbetet më i rrezikshmi në tërë botën, pa praninë e trupave luftarake?

Kjo pyetje bëhet tani pasi prania amerikane po bëhet e pamundshme të mbështetet në ushtarët e mbetur amerikanë, prania e të cilëve gjithashtu po zvogëlohet deri në largimin e plotë të tyre nga Iraku, vitin e ardhshëm.

Për ta bërë këtë, ata do të dërgojnë në terren atë që po shpjegohet si operacioni më i madh në botë i sigurisë private. Departamenti i Shtetit planifikon që të dyfishojë numrin e kontraktuesve privatë të sigurisë në Irak, duke mbledhur kështu një lloj mini-ushtrie që përmban 7 mijë veta.

Për t’i pajisur ata, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Pentagonit 24 helikopterë, “Black Hawk”, rreth 50 automjete rezistuese ndaj bombave apo “MRAP”, sisteme të sofistikuara të mbikëqyrjes, kamionë karburantesh si dhe automjete të tjera të rënda ushtarake.

Departamenti i Shtetit gjithashtu do të blejë tre aeroplanë që së bashku me atë, që tashmë e ka në dispozicion, krijon “një flotë të vogël ajrore”.

Kjo është një iniciativë e paprecedent për agjencinë qeveritare, e cila është e ngarkuar të menaxhojë çështjet diplomatike të vendit. Megjithatë, zyrtarë diplomatikë thonë se kjo është e nevojshme nëse zvogëlimi i trupave ushtarake, siç është arritur pajtimi edhe me qeverinë irakiane, do të zëvendësohet me qëllime ambicioze civile.

Majkëll Najts nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt, e shpjegon sfidën e Departamentit të Shtetit në këtë formë.

Ushtarët gjatë patrullimeve

“Departamenti i Shtetit nuk operon zakonisht në mënyrë efektive në vendet me këtë nivel të rrezikut. Nëse, për shembull, e marrim Jemenin, ambasada zakonisht mbyllet për shkaqe sigurie, ndërsa stafi i Departamentit të Shtetit nuk mund të largohet nga objekti që të kryejnë misionin e tyre”.


“Mirëpo, Iraku është shumë i rëndësishëm për interesin amerikan dhe SHBA-të kanë investuar shumë saqë Departamenti i Shtetit do të provojë që të vazhdojë të kryejë misionin e vet në nivel të plotë pavarësisht kërcënimit shumë serioz për sigurinë e tyre”, tha Majkëll Najts, njëherësh këshilltar i Departamentit të Shtetit për Irakun.

Departamenti gjithashtu po zgjeron detyrat e veta në Irak. Plani kërkon që Departamenti i Shtetit të marrë një mijë detyra shtesë që më parë janë kryer nga ushtria. Kjo gjë do të bëhet pasi trupat ushtarake do të largohen në tërësi nga Iraku, një gjë kjo që pritet të ndodhë në dhjetor të vitit 2011.

Administrata e Obamës është zotuar që të reduktojë rolin e kontraktuesve pas akuzave për keqmenaxhim gjatë vjetëve të fundit.

Najts është edhe analistë i një kompanie private të sigurisë që ka stafin e saj në Irak. Ai thotë se Departamenti i Shtetit nuk ka zgjidhje tjetër, por të mbështetet në kontraktuesit civilë.

Është me të vërtetë e vetmja mënyrë, vetëm nëse ata duan të mbështeten në forcat e sigurisë së Irakut. Ushtria amerikane me shpejtësi po zvogëlon mundësitë e veta dhe sigurisht që nuk është në gjendje që t’i mbrojë ekipet e Departamentit të Shtetit, derisa ata sillen nëpër Irak duke kryer misionet e tyre vitale”.

“Pra, ekzistojnë dy mundësi: Ose të shfrytëzohen forcat e sigurisë së Irakut, ose të shfrytëzohen kontraktuesit privat të sigurisë. Mirëpo, ka shumë arsye pse mund të mbështetesh vetëm në kontraktuesit privat të sigurisë”
, thotë Majkëll Najts.

Të paguash për këtë strukturë masive të sigurisë është një sfidë tjetër. Departamenti i Shtetit po përballet me ndryshueshmëri në shpenzime sa i përket fondeve të saj në Irak, në kohën kur qeveria po i shikon mundësitë që t’i zvogëlojë shpenzimet.

Kongresi, së fundi, ndau 600 milionë dollarë më pak, se sa i kishte kërkuar për shpenzime shtesë këtë vit.

Departamenti i Shtetit në kërkesën për pajisje që i ka dërguar Pentagonit ka kërkuar që ato pajisje t’i sigurohen falas. Analistët thonë se kjo agjenci qeveritare amerikane do të marrë atë që e kërkon edhe nëse duhet marrja e fondeve nga një tjetër obligim.

Edhe pse i paprecedent dhe i patestuar ndonjëherë, eksperimenti i sigurisë i Departamentit të Shtetit në Irak në Uashington me gjasë shihet edhe në kontekstin e Afganistanit.

Xhejms Denli, një nga kontribuesit e organizatës jo qeveritare, Instituti i Studimit të Luftës, ka shërbyer dy herë në ushtrinë amerikane në Irak.

“Sigurisht, punësimi i Departamentit të Shtetit dhe OJQ-ve në Afganistan ka marrë shumë si mësim mënyrën se si angazhohen ata në Irak. Unë nuk kam asnjë dyshim se mësimet që do të mësohen nga problemi i sigurisë që Departamenti i Shtetit po mundohet ta zgjidhë do të jetë i ngjashëm me atë që do të aplikohet më vonë në Afganistan kur ky vend do të jetë në pozitën e dorëzimit të përgjegjësive, aty ku tani është Iraku”
, thotë Denli.

Megjithatë, kontribuesi Denli thotë se Departamenti amerikan i Shtetit momentalisht është shumë i ngarkuar me Irakun. (a.h.)
XS
SM
MD
LG