Ndërlidhjet

logo-print

Llojllojshmëria e ligjeve pengon zgjidhjen e kontesteve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Kontestet pronësore, në Kosovë janë më komplekse se sa që duken, për shkak të padrejtësive që u janë bërë qytetarëve në të kaluarën, kur atyre u janë konfiskuar prona dhe nuk u janë legalizuar shitblerjet, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Sipas ekspertëve, këto çështje të pazgjidhura po e pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se mbrojtja e të drejtave pronësore dhe zgjidhja e kontesteve pronësore është një prej segmenteve të nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, i cili, siç thotë Mulaj, ka shënuar ngecje.
Në Kosovë janë në fuqi disa sisteme të ligjeve, duke përfshirë edhe ato nga ish-Jugosllavia.


“Deri te ky problem kaq i madh kemi ardhur për disa arsye, si dhe ngatërrimit që ekziston në legjislacion. Në Kosovë janë në fuqi disa sisteme të ligjeve, duke përfshirë edhe ato nga ish-Jugosllavia. Pra, kur kemi këtë laramani kaq të madhe të ligjeve, atëherë nuk është lehtë të trajtohet edhe çështja e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kontesteve pronësore”,
shprehet Mulaj.

Përveç mekanizmave ndërkombëtar, të cilët kanë ndihmuar këtë çështje, në Kosovë funksionon edhe Agjencia Kadastrale e Kosovës, që vazhdimisht ka punuar në zgjidhjen e kontesteve pronësore.

Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, thotë:

“Kemi shumë projekte, të cilat tani janë duke u zhvilluar dhe shumë donatorë si Banka Botërore, Qeveria norvegjeze, ajo gjermane, të cilat na ndihmojnë në zhvillimin e projekteve për regjistrimin e pronës, ngritjen e kapaciteteve dhe njëkohësisht barazimin e gjendjes së pronës në kadastër me gjendjen faktike në terren”.


Ndërkohë, sipas kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, i gjithë territori i Kosovës është i regjistruar në regjistrin kadastral, por, siç thotë ai, problemi qëndron në atë se a janë këto prona të regjistruara në pronarin aktual.

Meha flet më shumë rreth problemeve që kanë të bëjnë me pronat.
Problemet më të theksuara janë ngritja e vetëdijes te popullata që pronën ta kenë në emrin e vet, në mënyrë që ajo pronë të mos mbetet në emër të paraardhësve të tyre.


“Problemet më të theksuara janë ngritja e vetëdijes te popullata që pronën ta kenë në emrin e vet, në mënyrë që ajo pronë të mos mbetet në emër të paraardhësve të tyre”.


Kemi disa ndryshime që presim të bëhen në ligje, në mënyrë që secili pronar të ketë mundësi ta regjistrojë pronën e vet në emrin e vet dhe të ketë mundësi që këtë pronë ta shfrytëzojë për të mirë të ekonomisë familjare dhe për zhvillim ekonomik të vendit”, thotë Meha.

Në ndihmë për zgjidhjen e kontesteve pronësore të Kosovës kishte dalë Banka Botërore, e cila i kishte ofruar Kosovës kredi për regjistrimin e pronave dhe disa projekteve tjera.

Por, Kuvendi i Kosovës disa herë radhazi nuk ka arritur që të ratifikojë marrëveshjen e Bankës Botërore për kredi, pasi që deputetët e kishin quajtur këtë proces jo transparent.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Mulaj, thekson se nuk ka asgjë më të rëndësishme për ekonominë e Kosovës se ndihma që Banka Botërore i ka dhënë Kosovës.

“Ky opsion ende mbetet dhe është një mundësi e mirë që kjo marrëveshje të miratohet në Kuvend, por kuptohet se Banka Botërore dhe Qeveria duhet të jenë më transparente me plane, detaje dhe me rezultatet e pritura në mënyrë që ta bindin Kuvendin që të miratohet kjo pako mbështetëse për të drejtat pronësore në Kosovë të miratohet”,
thekson Mulaj.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG