Ndërlidhjet

logo-print

Zhbllokohet puna e Kuvendit të Maqedonisë?


Shkup, Kuvendi i Maqedonisë

Shkup, Kuvendi i Maqedonisë

Sipas partive maqedonase, dialogu politik në Kuvendin e Maqedonisë është vendosur pas një bojkoti disamujor të partive opozitare maqedonase, të cilat hoqën dorë nga kërkesat e tyre. Por, opozita shqiptare vazhdon bojkotin, duke mos hequr dorë nga kërkesat për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Kuvend.


Lidhja Social-demokrate dhe partitë tjera opozitare maqedonase janë rikthyer në mbledhjet koordinuese të Kryesisë së Kuvendit të Maqedonisë, duke zhbllokuar kështu dialogun në institucionin ligjvënës, që mbahej i bllokuar tashmë një kohë të gjatë.

Opozita maqedonase, në emër të integrimit të vendit në institucionet euroatlantike, ka hequr dorë nga të gjitha kërkesat që kishin të bëjnë me rregulloren mbi punën e Kuvendit dhe caktimin e pikave të rendit të ditës në seancat plenare.
Këtë e bëjmë për shtetin dhe interesat kombëtare...

“Këtë e bëjmë për shtetin dhe interesat kombëtare. Andaj, edhe nuk duam të deabtojmë për këtë çështje; le të propozojnë rregullore të re dhe ne do ta mbështesim”, deklaroi Andrej Petrov, nga Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë.

Kjo parti konsideron se në këto momente kyçe për Maqedoninë, më me rëndësi është të merret data për fillimin e negociatave dhe raport pozitiv nga Komisioni Evropian, sesa të disktuohet ndonjë çështje tjetër.

Vendimi për pjesëmarrjen në seancën e sotme koordinuese ishte marrë ditë më parë nga kryetari i kësaj partie, Branko Cërvenkovski.

VMRO-DPMNE ka mirëpritur zhbllokimin e punës së Kuvendit.

“Mendoj se opozita ka përmbushur pjesën e saj të obligimit, pasi ne përmbushëm tonën, duke pranuar të gjitha kërkesat e opozitës që tashmë janë pjesë përbërëse e rregullores së re, që pritet të miratohet gjatë ditës së nesërme”, tha Silvana Boneva, koordinatore e Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Por, derisa partitë maqedonase pretendojnë në zhbllokimin e punës së Kuvendit, partia shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, nuk heq dorë nga kërkesat e saj, si: ngritja e nivelit të përdorimit të gjuhës shqipe dhe çështje të tjera.
...edhe seancat plenare duhet të udhëhiqen në gjuhën shqipe, në rast se kryesuesi është me përkatësi etnike shqiptare.

“Përveç kryetarëve të komisioneve që udhëheqin me komisionet e Kuvendit në gjuhën shqipe, konsiderojmë se edhe seancat plenare duhet të udhëhiqen në gjuhën shqipe, në rast se kryesuesi është me përkatësi etnike shqiptare”.

“Gjiashtu edhe komunikimi me shkrim duhet të jetë në gjuën shqipe, sikur edhe stenogramet, të gjitha mbishkrimet, të gjitha paralajmërimet që jepen në tabelën e Kuvendit”
, deklaroi Flora Kadriu, nga Demokracia e Re .

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti kjo që është pjesë e Qeverisë, përshëndesin zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Ndërsa, sa u përket pretendimeve të partisë Demokracia e Re, Tahir Hani, koordinator i Grupit Parlamentar të BDI-së, tha se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe rregullohet me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Ne kemi miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe kuptohet se inervenimet duhet të bëhen në këtë ligj, në mënyrë që të ketë ndikime edhe në ndryshimin e përdorimit të gjuhës, edhe në institucionet tjera, përfshirë edhe rregulloren e Kuvendit”.

“Për momentin, një procedurë e këtillë nuk është ngritur, kështu që çështja e gjuhës shqipe në rregulloren e punës së Kuvendit rregullohet në bazë të ligjit aktual për përdorimin e gjuhës shqipe”
, u shpreh Tahir Hani.

Partia tjetër në opozitë, Partia Demokratike Shqiptare, tanimë një vit është duke bojkotuar punimet e Kuvendit, për shkak të, siç thuhet, injorimit të kërkesave të saj për çështjet shqiptare.

Partitë opozitare shqiptare presin që, përkundër deklarimeve për zhbllokimin e punës së Kuvendit, shqetësimet e tyre të përfshihen në raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, që pritet të publikohet në fiilim të muajit nëntor.
XS
SM
MD
LG