Ndërlidhjet

A ka plan për zhbërjen e strukturave paralele?


Paqeruajtësit e KFOR-it në veri
Paqeruajtësit e KFOR-it në veri
Të jashtëligjshme e me ndikim negativ në siguri dhe fusha të tjera konsiderohen strukturat paralele serbe nga Prishtina zyrtare dhe mekanizmat ndërkombëtarë. Por, shpërbërja e tyre po merr kohë, ndërsa nuk ka ndonjë plan të detajuar, të paktën jo të publikuar, për shuarjen e tyre.

Shefi i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rrustem Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë se së shpejti do të ketë masa për të shtrirë autoritetin në gjithë vendin. Ai nuk dha detaje.
...strukturat e jashtëligjshme nuk do të lejohen të qëndrojnë në territorin e Republikës së Kosovës, do të ketë masa.

”Unë besoj se strukturat vendore dhe ndërkombëtare tash bashkë janë duke përfunduar mënyrën se si t'iu qaset këtyre strukturave të jashtëligjshme në veri të vendit".

"Kjo nënkupton që, sikurse çdo gjë tjetër, edhe strukturat e jashtëligjshme nuk do të lejohen të qëndrojnë në territorin e Republikës së Kosovës, do të ketë masa. Do t’i përdorim mjetet ligjore për ta bërë shuarjen e atyre strukturave që punojnë jashtë ligjit”
, tha Mustafa.

Por, Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë kompletuar infrastrukturën e sigurisë për të ndërmarrë masa, siç janë ato për shpërbërjen e strukturave paralele në veri, apo në mjediset tjera të banuara me shumicë serbe.

“Pushteti aktual, për këto dy vjet e gjysmë pas pavarësisë, ka qenë shumë i ngathtë në ngritjen e strukturave të sigurisë në Kosovë, duke u nisur nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, kompletimi dhe rritja e numrit të njësive për veprim të shpejtë, që janë në kuadër të policisë".

"Ngritja e këtyre kapaciteteve do të ishte edhe si një presion në faktorin ndërkombëtar, meqë Qeveria nuk ka mundur vetëm ta zgjidhë problemin”
, tha Maloku.

Në një pikë me deputetin opozitar, Naim Maloku (AAK), pajtohet deputeti i partisë në pushtet (PDK), Rrustem Mustafa. Ai tha se strukturat paralele është dashur kaherë të shuhen.

“Unë e di që edhe sot jemi të vonuar. Është dashur të mos ketë as sot. Por, ne gjendemi para një momenti faktik që është i përfunduar dhe ne jemi të interesuar që ato të ndodhin në një moment, pa krijuar kurrfarë shqetësimi te askush".

"Nuk ka kurrfarë rreziku dhe nuk ndodhemi para kurrfarë eskalimi. Të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, po kërkojnë atë qasje që institucionet e vendit po e përgatisin”
, tha Mustafa.

Serbia vetëm për këtë vit ka ndarë mbi 40 milionë euro për strukturat paralele serbe në Kosovë. Ndërkohë, Qeveria kosovare, këto ditë, ndau 5 milionë euro për investime në veri, të cilat disa përfaqësues të opozitës i kanë quajtur qesharake në krahasim me fondin serb.

Deklarata se duhet të shuhen strukturat paralele serbe janë dhënë që nga koha e UNMIK-ut, për të vazhduar edhe te mekanizmat tjerë ndërkombëtarë në Kosovë, që tani merren me sigurinë në vend.

Por, realiteti tregon se në komunat veriore në Kosovë, strukturat paralele kontrollojnë pushtetin. Më të rrezikshmet konsiderohen ato të sigurisë.

Naim Maloku
Naim Maloku tha se prania e tyre po rrezikon edhe ndarjen e asaj pjese të Kosovës.

“...probleme të asaj natyre që rrisin apetitet e një pjese për ndonjë formë tjetër të organizimit të brendshëm të Kosovës dhe gjejnë mbështetje te ndonjë segment ndërkombëtar. Nuk presim që të na i zgjidhin të tjerët problemet tona në Kosovë”, tha Maloku.

EULEX-i ka paralajmëruar gjatë verës se do të kryejë arrestime në veri, kryesisht të të dyshuarave për krim të organizuar dhe kontrabandë. Por, vetë ky mision ende nuk ka arritur të shtrijë kontrollin e plotë në këtë pjesë.

Pikat doganore në veri të vendit ende nuk funksionojnë, duke bërë që malli që hyn nga Serbia vetëm të regjistrohet, por jo edhe të zhdoganohet.

Një terminal për zhdoganimin e këtij malli gjendet në jug të Mirovicës, por jo i tërë malli që hyn, kalon nëpër të.

Lexoni edhe këtë: Fillon zbatimi i fondit për veriun?
XS
SM
MD
LG