Ndërlidhjet

Sipas Objektivave të Mijëvjeçarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kanë mbetur edhe 4 vjet që Kosova të eliminojë analfabetizmin, dukuri kjo e cila, sipas ekspertëve, me strategjitë aktuale të Qeverisë për arsim, vështirë se mund të eliminohet për një periudhë të shkurtër kohore.

Halim Hyseni, nga Qendra Kosovare për Edukim, thotë se, sipas shifrave aktuale, shkalla e analfabetizmit në Kosovë arrin deri në 6 për qind. Sipas tij, ajo është shumë e lartë për t’u eliminuar deri në vitin 2015.

“Analfabetizmi, ashtu siç është menduar në Objektivat e Mileniumit, me këtë gjendje që është sistemi i arsimit në Kosovë, është e pamundur të evitohet. Kosova zë vendin e parë me numër të analfabetëve. Në Kosovë nuk kemi të dhëna të sakta të analfabetizmit për shkak të regjistrimit të popullsisë. Por, të dhënat që janë të sakta, flasin për një përqindje deri në 6 për qind”, deklaron Hyseni.

Shqetësues në Kosovë, përveç numrit të madh të analfabetëve që nuk dinë shkrim dhe lexim, sipas Hysenit, mbetet edhe analfabetizmi i shumëfishtë, si ai funksional dhe elektronik.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës, pa ndonjë program të veçantë për zhdukjen e analfabetizmit, nuk do të mund t’i arrijë Objektivat e Mijëvjeçarit.

“Cilësia e sistemit të arsimit në Kosovë është në nivel shumë të pakëndshëm. Numri i analfabetëve jo që është duke u zvogëluar, por kemi një rekrutim të ri të analfabetëve të rinj, që dalin nga mospërfshirja në sistemin e arsimit apo braktisja e shkollimit
”, thotë Hyseni.

Edhe zyrtarët e arsimit thonë se me gjithë përparimet e deritashme në Kosovë, analfabetizmi ka qenë dhe është i pranishëm në përmasa shqetësuese.

Ministria e Arsimit
Afërdita Jaha, zyrtare për arsim joformal në Ministrinë e Arsimit, thotë se ky institucion është duke bërë përpjekje maksimale që analfabetizmi në Kosovë të eliminohet deri në vitin 2015.

"Ministria është duke u përpjekur në ngritjen e cilësisë së mësimit dhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në procesin arsimor. Gjithëpërfshirja e qytetarëve në procesin arsimor dhe ulja e shkallës së analfabetizmit janë ndër pikat kyçe të strategjisë për arsim parauniversitar të Ministrisë së Arsimit”,
thekson Jaha.

Për zbutjen e analfabetizmit, Jaha thotë se Ministria e Arsimit me vite është duke mbajtur mësime joformale, që mundësojnë mësimin e shkrim-leximit për qytetarët, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

“Ministria e Arsimit, në bashkëpunim të ngushtë me UNICEF-in, është duke bërë përpjekje maksimale që ta ulë numrin e analfabetëve në Kosovë. Jemi duke punuar edhe me drejtoritë rajonale për zhdukjen e kësaj dukurie”, thotë Jaha.

Ligjvënësit kosovarë, përmes një rezolute, në vitin 2008 kanë miratuar Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Atëbotë, ata janë zotuar se së bashku me Presidencën dhe Qeverinë e Kosovës, do t’i përmbushin tetë Objektivat e kësaj deklarate, përfshirë analfabetizmin.

Deklarata e Mijëvjeçarit është nënshkruar në vitin 2000 nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe ka përcaktuar 8 qëllime, 18 plane dhe 48 indikatorë, për të matur progresin deri në vitin 2015.

Lexoni edhe këtë: Përballja me analfabetizmin
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG