Ndërlidhjet

Decentralizimi si mjet integrimi


Mitrovicë

Mitrovicë


Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare ia kanë vënë vetes prioritet që në javët dhe muajt e ardhshëm, bashkëpunimin e tyre ta përqendrojnë në fuqizimin e komunave të reja që kanë dalë nga procesi i decentralizimit në Kosovë dhe krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

Në takimin e radhës të Grupit Ndërministror për Decentralizim, udhëheqësit e këtyre institucioneve thanë se sfida dhe prioriteti kryesor mbetet krijimi i parakushteve për mbajtjen e, siç u tha, suksesshme të zgjedhjeve edhe në pjesën veriore të vendit.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, tha se vëmendja e mekanizmave përgjegjës duhet të jetë zbatimi i decentralizmit në veri të Kosovës, gjë që, sipas tij, duhet të bëhet vetëm bazuar në Planin Ahtisari.

Piter Feith
“Plani gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Plani Ahtisari, është baza më e mirë për situatën në veri. Andaj, përpjekjet duhet të përqendrohen në zbatimin e dispozitave të Planit Ahtisari, duke pasur parasysh që ky plan parasheh të drejta më të gjera autonome për komunitetin serb, ashtu siç është arritur pajtim me Qeverinë e Kosovës”
, u shpreh Feith.

Ai tha se në takimet e fundit që ka pasur me serbët lokalë të veriut të Mitrovicës, ka vërejtur një interesim të shtuar për të bashkëpunuar me Prishtinën zyrtare dhe njëkohësisht një, siç e cilësoi ai, frustrim lidhur me shërbimet e strukturave paralele serbe.

Kjo gjendje, sipas Feithit, është një mundësi e mirë për autoritetet vendore e ndërkombëtare për të depërtuar te banorët serbë të veriut dhe për t’i bindur ata që t’iu drejtohen institucioneve kosovare.

Rëndësia që decentralizimi të zbatohet në tërë territorin e Kosovës u theksua edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Ai tha se zgjedhja e organizmave të ri udhëheqës në komunat e reja me shumicë serbe, si: Parteshi, Graçanica, Ranillugu, Novobërda dhe Kllokoti, duhet të merret si shembull edhe për veriun.

“Procesi i decentralizimit ka afate kohore, ka zotimin tonë, ka të paraparë shtrirjen gjeografike dhe ai duhet të jetë i plotë, ngase moszbatimi i tij në plotësi krijon mundësi për stagnim dhe mundësi për reagime të paparapara”.

“Shembulli i suksesit në komunat e themeluara deri më tani duhet të jetë një shembull i mirë edhe për pjesët e tjera, ku ende nuk është krijuar procesi i decentralizmit”
, u shpreh Kuçi.

Udhëheqësit e komunave të reja me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet lokale të Kosovës, i dhanë Radios Evropa e Lirë një pasqyrë për ndryshimet që kanë pësuar komunat e tyre pas zbatimit të procesit të decentralizimit.

Kreu i komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, tha se mund të vërehen ndryshime pozitive.

“Ata që vijnë në Graçanicë dhe shohin ambientin, takohen me administratën, shohin se janë vendosur mekanizma që do të merren me problemet e jetës së përditshme dhe që në mënyrë sistematike mundohen për mbrojtjen e interesave të njeriut të rëndomtë”,
tha Stojanoviq.

Ndryshime pozitive, sipas kreut të komunës së Kllokotit, Sasha Mirkoviq, kanë ndodhur edhe në Kllokot.

“Duhet të jem real, jeta ka ndryshuar në çdo pikëpamje, duke filluar nga zvogëlimi i numrit të të papunëve, ndërtimi i infrastrukturës etj. Pritet që edhe më tutje të ketë përmirësim”,
tha Mirkoviq.

Mirëpo, kryetari i komunës së Rranillugut, Gradimir Mikiq, theksoi nevojën për angazhime të mëtejme, në mënyrë që qytetarëve të komunës t’u përmirësohet jeta e përditshme.

“Ende jemi larg asaj që nevojitet në të vërtetë. Pritjet e qytetarëve janë që të sigurohet ekzistenca. Prioritet mbi prioritetet është që njerëzit, përmes punës së tyre, të sigurojnë ekzistencën për vete dhe familjet e tyre. Ne po punojmë në këtë drejtim”,
theksoi Mikiq.

Qeveria e Kosovës, kohë më parë, ka ndarë një shumë prej 18 milionë eurosh për të gjitha komunat e reja në Kosovë, prej të cilave 10 milionë planifikon t’i investojë në jug dhe në veri të lumit Ibër në Mitrovicë. Shuma fillestare prej 400 mijë eurosh e fondit për veriun thuhet se do të shpenzohet brenda këtij viti fiskal.

Ndërkohë, deri në fund të muajit tetor pritet t’i përfundojë përgatitjet teknike edhe ekipi përgatitor për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

Qeveria e Kosovës
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, shprehu vendosmërinë e institucioneve kosovare për zbatimin e decentralizmit në veri.

Ai tha se institucionet përgjegjëse do të jenë, siç u shpreh, kritike ndaj veprimeve të strukturave të ndryshme, që synojnë të minojnë përpjekjet në drejtim të përmirësimit të situatës në veri.

“Nuk do të lejojmë që në atë pjesë të instalohet ndonjë opsion, i cili do të frenojë zhvillimin e shoqërisë kosovare, i cili do të frenojë zhvillimin e shtetit të Kosovës, institucionet e Kosovës dhe interesin e qytetarëve të Kosovës”, tha Ferati.

Çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e qytetarëve të Kosovës, sipas kreut të ICO-së, Feith, duhet të jenë në qendër të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Feith hodhi poshtë idetë që në kuadër të këtyre bisedimeve të bisedohet për statusin e Kosovës apo ndarjen e veriut.

“Këto diskutime nuk do të duhej të bëheshin për statusin e Kosovës, sepse statusi është zgjidhur. Këto diskutime nuk duhet as të çojnë në ndarjen e veriut”, theksoi diplomati holandez.
XS
SM
MD
LG