Ndërlidhjet

Klinton dënon planet për djegjen e Kuranit



Një grupim i krishterë në Shtetet e Bashkuara ka përsëritur se nuk heq dorë nga planet për djegjen e Kuranit më 11 shtator, në nëntë vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara.

Drejtuesi i kishës në Florida, Terri Xhons, theksoi se islami është “një fe e dhunshme dhe shtypëse” dhe shtoi se po vazhdon të lutet për djegjen publike të librit të shenjtë të fesë islame. Drejtuesit kryesorë fetarë, të krishterë e hebrejë në Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar thirrjet për djegjen e Kuranit si sulm ndaj lirisë fetare dhe dëshmi e mungesës së tolerancës.

Planet në fjalë janë dënuar dhe nga administrata amerikane, e cila ka theksuar se veprime të tilla rrezikojnë turpat e SHBA-ve në botë.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton foli për këtë çështje dhe gjatë iftarit të shtruar në Departamentin e Shtetit.

“Jemi ulur së bashku ditën kur vjen lajmi se një prift në Florida do vazhdojë me planet për djegjen e Kuranit të shenjtë më 11 shtator. Jam e emocionuar nga dënimi i qartë e i padiskutimtë që i kanë bërë këtij veprimi të padenjë udhëheqësit e të gjitha feve në Amerikë, nga të krishterët evangjelistë tek rabinët hebrejë, krerët sekularë dhe opinionbërësit”, tha Klinton.
XS
SM
MD
LG