Ndërlidhjet

Djegia e Kuranit, kundër vlerave amerikane

  • RFE /RL

Dy nga komandantët e ushtrisë amerikane në Afganistan kanë kritikuar planet e një kishe të vogël amerikane, e cila më 11 shtator do t’i përkujtojë sulmet e vitit 2001 me djegien e kopjeve të Kuranit.

Ndonëse autoritetet lokale nuk e kanë lejuar djegien, prifti i kishës, Terri Xhons, me 50 pjesëtarë, ka thënë se ata megjithatë do ta realizojnë atë.

Gjenerali Dejvid Petreus në Afganistan, ndikimin negativ që mund ta kenë pamjet nga ky veprim e krahasoi me fotografitë e burgut Abu Graib, ku shihej se si ushtarë amerikanë keqtrajtonin të burgosurit irakianë.

Shefi i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, gjithashtu dënoi planet e kësaj kishe, ndërsa komandanti i misionit trajnues amerikan në Afganistan, gjenerallejtënant Villiam Kaldvell, paralajmëroi për rrezikun e hakamrrjes ndaj ushtarëve amerikanë.

“Ky aksion në fakt do të rrezikojë sigurinë e djemve dhe vajzave që shërbejnë këtu në Afganistan dhe do të pengojë misionin që ne po mundohemi ta përfundojmë”, tha gjenerali Kaldvell.

Paralajmërimi i kishës së Floridës është shqetësues edhe për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli, veprimin e quajti në të njëjtën vijë me “radikalët dhe fanatikët fetarë që e sulmuan Amerikën në vitin 2001”.

“Ne do të donim që të shohim më shumë amerikanë që ngrejnë zërin e thonë: ‘ky veprim bie në kundërshtim me vlerat amerikane’. Në fakt, ky veprim është thjesht joamerikan”.

“ Ne shpresojmë që bota të mos na gjykojë neve nga veprimi i një prifti dhe 50 pasuesve të tij, por të na gjykojë nga tradita që na ka përcjellë neve që nga themelimi i kombit amerikan”,
tha Krouli.

Paralajmërimet e zyrtarëve amerikanë vijnë pas një proteste të afganëve të zemëruar në Kabul për planin e kishës amerikane që të djegë Kuranin. Disa qindra afganë ishin mbledhur në protestë, duke bërë thirrje për vdekje Amerikës.

Proestuesit kryesisht ishin studentë të një shkolle islamike në Kabul, ndërsa një nga ta, Vahidullah Nori, kërkoi nga SHBA-të që të ndalojnë një veprim të tillë.

“Ne jemi mbledhur këtu që të shprehim shqetësimin tonë drejt Amerikës, ndërsa ne do të vazhdojmë me demonstrata çdo ditë. Ne i bëjmë thirrje Amerikës që ta ndalojë këtë përbaltje të Kuranit tonë të shenjtë”, kërkoi protestuesi Nori.

Ministria e Jashtme e Iranit ka paralajmëruar vendet e Perëndimit që nëse nuk ndalohet ky veprim, atëherë “emocionet e popujve myslimanë nuk do të mund të kontrollohen”.

Prifti i kishës që planifikon djegien e Kuranit më 11 shtator, i tha CNN-it se do të ishte tragjike që ushtarë amerikanë të humbnin jetën si pasojë e këtij veprimi, mirëpo ai këmbënguli që duhet patjetër të veprohet për të ekspozuar islamin si përhapës të urrejtjes dhe frikës. (a.h.)

* * *

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, foli për këtë çështje dhe gjatë iftarit të shtruar në Departamentin e Shtetit.

“Jemi ulur së bashku ditën kur vjen lajmi se një prift në Florida do të vazhdojë me planet për djegjen e Kuranit të shenjtë më 11 shtator".

"Jam e emocionuar nga dënimi i qartë e i padiskutimtë që i kanë bërë këtij veprimi të padenjë udhëheqësit e të gjitha feve në Amerikë, nga të krishterët evangjelistë te rabinët hebrenj, krerët sekularë dhe opinionbërësit”, tha Klinton.


XS
SM
MD
LG