Ndërlidhjet

Të pastrehët presin zgjidhje


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Komunën e Prishtinës, deri më tash, janë evidencuar rreth 1,500 kërkesa nga qytetarët e kësaj komune për zgjidhjen e çështjes së strehimit, ndërkohë që zyrtarët e qeverisë komunale shprehin dyshimet se numri i të pastrehëve është shumë më i madh.

Sipas tyre, një numër i familjeve të pastreha është sistemuar në tri ose katër zona të Prishtinës, por kushtet në të cilat ato jetojnë nuk janë në nivelin e normales.

Një nga këto zona është edhe kampi në të ashtuquajturën Fusha e Pajtimit, në periferinë verilindore të Prishtinës, në të cilin jetojnë 26 familje të strehuara në kontejnerë të metaltë.

Rexhep Canolli thotë se në një nga kontejnerët e këtij kampi jeton tash e 6 vjet.
Nuk kemi ujë, banjo, rrymë... s’kemi asgjë. Nuk jetohet më këtu...

“Tash i bëjmë gjashtë vjet këtu. Në kamp është e dukshme se në çfarë situate jemi. Llamarina, më tepër se gjysma është kalbur dhe ka rënë në tokë. Nuk kemi ujë, banjo, rrymë... s’kemi asgjë. Nuk jetohet më këtu... tashmë është bërë tepër”,
shprehet ai.

Në afërsi të kampit, në Fushën e Pajtimit, Kuvendi Komunal i Prishtinës tashmë ka ndërtuar një objekt social, në të cilin pritet të strehohen qytetarët e pastrehë të Prishtinës.

Nazane Dreca, drejtore e Drejtorisë për shëndetësi dhe mirëqenie sociale në Komunën e Prishtinës, thotë se tashmë janë duke pritur edhe pranimin teknik të objektit dhe së shpejti ai do të nisë funksionin për të cilin edhe është destinuar.

“Në kuadër të Drejtorisë kemi formuar komisionin, i cili përbëhet nga anëtarët e nivelit komunal dhe jo vetëm nga anëtarët e Drejtorisë së shëndetësisë. Janë pesë anëtarë. Ata e kanë përfunduar punën lidhur me hapjen e konkursit për këto banesa sociale”.

“Besoj që gjatë javës do të bëhet edhe shpallja e konkursit dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë ata që janë me asistencë sociale dhe që e kanë shumë të vështirë çështjen e strehimit”,
thotë Dreca.

Por, Canolli shprehet skeptik se konkursi për objektin social do të hapet së shpejti.

“Ka kohë që kemi pritur. Kanë thënë ‘jo këtë muaj, por muajin tjetër’... por, konkursi nuk është hapur. Se çfarë ka ose çfarë do të bëjnë, nuk dihet asgjë. Deri në momentin e fundit ne po presim se çfarë do të ketë", thotë Canolli.

Edhe Ali Xhemajli është strehuar në një kontejner me bashkëshorten dhe tre fëmijët, tash e një muaj, pasi që, siç thotë ai, kishte mbetur në rrugë.

“Me një fjalë, jam i pastrehë. Kushtet i kemi të mjerueshme. Nuk punoj as unë e as shoqja. E kam bërë një kërkesë për ndihmë sociale dhe, për fat, tash e kam marrë. Tash jam në dorë të Zotit”, thotë Xhemajli.

Ngjashëm shprehet edhe Mevlude Mehmeti, banore e këtij kampi.
Nëse gjërat shkojnë sipas ligjit, e meritojmë. E nëse bëhet diçka tjetër... atëherë, por rrimë në mëshirën e Zotit...

“Jetesa për çdo familje këtu është shumë e vështirë, është katastrofale. Është dashur që komuna të ndërmarrë diçka më herët. Komuna që sa kohë i ka përgatitur këto banesa (sociale) dhe nuk e di se pse nuk po i lëshojnë më”.

“Ai që e meriton, le ta marrë, e ai që nuk e meriton, nuk e merr. Nuk di tjetër... aty vetëm Zoti dhe shpresat tona... nëse gjërat shkojnë sipas ligjit, e meritojmë. E nëse bëhet diçka tjetër... atëherë, po rrimë në mëshirën e Zotit”,
thotë ajo.

Ndërkaq, zonja Nazane Dreca, zyrtare në Komunën e Prishtinës, thotë se të drejtë për konkurrim për banesat sociale do të kenë edhe banorët e kampit të Fushës së Pajtimit.

“Me siguri se do të ketë edhe nga ata që janë në kamp. Por, krejt varet nga ajo se sa i plotësojnë disa kritere që janë paraparë, për shembull: familjet që kanë një anëtar që ka aftësi të kufizuara, ose që ka më tepër anëtarë me aftësi të kufizuara...”.

“Një prej kushteve bazë është se ata duhet të jenë nën asistencë sociale dhe të jenë banorë të Prishtinës, së paku që pesë vjet. E pastaj, janë edhe kriteret tjera që janë paraparë. Ai që fiton më së shumti poena, do ta fitojë të drejtën për të banuar në këto banesa për rastet sociale”,
thekson Dreca.

Sidoqoftë, zyrtarët komunalë të Prishtinës kanë paralajmëruar se konkursi për të marrë banësën sociale do të jetë i hapur një muaj, ndërkohë që shqyrtimi i kërkesave do të zgjasë rreth dy muaj.

Lexoni edhe këtë: Të harruarit e kontejnerëve
XS
SM
MD
LG