Ndërlidhjet

logo-print

Kosova ka filluar t’i ndjejë efektet e para të anëtarësimit të saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Shuma prej 30 milionë eurosh, e ndarë nga Komisioni Evropian, është rezultat i marrëveshjes së fundit që Kosova ka bërë me FMN-në.

Kjartan Bjornson, nga zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, theksoi se këto fonde janë pjesë e premtimeve të bëra në konferencën e donatorëve.
Shpresojmë që programi i mbështetur nga FMN-ja do ta kthejë Kosovën në një rrugë të qëndrueshme lidhur me financat publike...

“Ndihma ka ardhur pasi Qeveria e Kosovës ka përmbushur kriteret për këtë shpagim. Marrëveshja e fundit me FMN-në, e cila u arrit pas diskutimeve të tejzgjatura, ka mundësuar pagesën e kësaj shume”.

“Shpresojmë që programi i mbështetur nga FMN-ja do ta kthejë Kosovën në një rrugë të qëndrueshme lidhur me financat publike. Është e rëndësishme për Kosovën t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar një zbatim të duhur të kësaj”,
tha Bjornson.

Ai bëri të ditur se shuma prej 30 milionë eurosh është pjesa e parë e shumës prej 50 milionë eurosh të asistencës mikrofinanciare për Kosovën, që është aprovuar nga Komisioni Evropian.

Ndërkaq, sipas Bjornsonit, lëshimi i pjesës së dytë prej 20 milionë eurosh nuk do të varet vetëm nga zbatimi i marrëveshjes me FMN-në, por edhe nga përmbushja e disa kërkesave, siç janë: arritja e standardeve që kanë të bëjnë me statistikat, përmirësimi i transparencës fiskale, qëndrueshmëria si dhe përmirësimi i prokurimit publik.

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se kjo mbështetje po e kurorëzon punën e arritur në zhvillimin e reformave më se të nevojshme të menaxhimit publik, si dhe afirmon aplikimin e politikave të mirëfillta ekonomike nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me FMN-në, rezultati i Qeverisë së Kosovës po njihet edhe nga Komisioni Evropian...

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes me FMN-në, rezultati i Qeverisë së Kosovës po njihet edhe nga Komisioni Evropian, si donatori më i madh për Kosvën në aspektin e ndihmës së drejtpërdrejtë buxhetore. 30 milionët e parë nga 50 milionët e premtuar për këtë vit janë derdhur në buxhetin e Kosovës”, deklaroi ministri Shala.

Ai tha se marrja e mbështetjes në formë të ndihmës direkte buxhetore dëshmon se institucionet ndërkombëtare i vlerësojnë kapacitetet planifikuese të Qeverisë së Kosovës dhe besojnë se korniza fiskale mund të gjenerojë zhvillimin e nevojshëm ekonomik.

“Ne kemi sqaruar se mund ta ngrejmë shkallën e zhvillimit ekonomik deri në 6 për qind dhe kjo ndihmë e siguron këtë rritje. Do ta përshpejtojë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe mirëqenien e qytetarëve”,
u shpreh Shala, duke shtuar se kjo shumë pritet të dyfishohet nga fundi i këtij viti, pas takimeve të ardhshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që do të mbahen në tetor.

Shuma e përgjithshme e mjeteve të fituara në Konferencën e Donatorëve është 1.2 miliard euro.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG