Ndërlidhjet

Maqedoni: 19 vjet shtet


19-vjetori i pavarësisë, Maqedoninë e gjen me liberalizim te vizave
19-vjetori i pavarësisë, Maqedoninë e gjen me liberalizim te vizave
Në Maqedoni shënohet 19-vjetori i pavarësimit të vendit pas shpërbërjes së ish-republikave jugosllave.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, në fjalën e rastit para krerëve shtetërorë, atyre fetarë dhe diplomatëve në vend, tha se Maqedonia si shtet i pavarur dhe sovran është e vendosur për ndërtimin e shtetit demokratik me vlera evropiane duke kontribuar për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.

“Si shoqëri multietnike dhe multikonfesionale, gjatë dy dekadave u angazhuam për barazi për të gjitha etnitetet në Maqedoni”
, tha kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Ndërkohë, në këtë ceremoni nuk ishin të pranishëm asnjë nga liderët e partive politike shqiptare, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti.

Xheladin Murati, deputet i përbërjes së parë parlamentare, tha se shqiptarët edhe më tej mbeten jashtë sistemit shtetëror.

“Faktori politik shqiptar është defaktorizuar dhe fare nuk paraqet ndonjë forcë për ndryshimin e realitetit politik dhe ekonomik. Kanë mbetur shumë probleme të pazgjidhura që nga shpallja e pavarësisë së Maqedonisë, me ç’rast si njëzet vjet më parë, edhe tani ballafaqohemi me problemin e barazisë së shqiptarëve”.


Kuvendi i Maqedonisë

“Për shembull, edhe më tej shqiptarët ballafaqohen me mospërdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, mospërdorimin e simboleve kombëtare, ndarjen e dëmshme territoriale dhe decentralizimin e parealizuar, si dhe mungesën e shqiptarëve në hierarkinë shtetërore”
, theksoi Xheladin Murati, kryetar i partisë së parë shqiptare, PPD, pjesë e përbërjes së parë parlamentare nga pavarësia e Maqedonisë.

Për analistët politikë gjendja e pavolitshme, sa i përket statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, ka të bëjë me mungesën e kapaciteteve politike të lidershipit shqiptar, për t`i çuar para proceset.


Ibrahim Mehmeti, publicist vlerësoi se politikanët shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit kanë dëshmuar se ndihen më komod në pozicionin e viktimës, sesa të bartin proceset e avancimit të kërkesave të shqiptarëve.

“Problemi qëndron në mungesën e ideve, e para, dhe e dyta, në zhvillimin e Maqedonisë në këtë periudhë pothuajse 20-vjeçare politikanët kanë ndërmarrë hapa institucionalë të gabuar, të cilët kanë pamundësuar një proces që do të çonte kah një harmoni e përgjithshme ku të gjithë qytetarët do të kishin shanse të barabarta dhe të gjithë qytetarët do të ishin njësoj të interesuar për zhvillimin e Maqedonisë”
, u shpreh Ibrahim Mehmeti, publicist.

Ndryshe, më 8 shtator 1991, në Maqedoni u mbajt referendumi i pavarësisë, me ç`rast shumica e qytetarëve u deklaruan për pavarësimin e vendit nga ish-federata jugosllave. Shqiptarët, si popull i dytë në Maqedoni, bojkotuan referendumin e 8 shtatorit.

Pas përfundimit të referendumit maqedonas të 8 shtatorit dhe aprovimit të Kushtetutës së vitit 1991, shqiptarët organizuan referendum të veçantë për shprehjen e vullnetit përmes deklarimit gjithëpopullor, si një kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas.
XS
SM
MD
LG