Ndërlidhjet

Pavarësisht të arriturave dhe përkushtimit të Qeverisë, nuk pritet që Kosova t’i përmbushë kushtet për liberalizim vizash, vlerësoi KPJ-ja.


Klubi për Politikë të Jashtme në vlerësimet e bëra për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, në hulumtimin e saj të radhës që ndryshe e kanë quajtur “barometri monitorues”, konstatoi se ngecjet në nivelin politik janë duke i vënë në rrezik edhe të arriturat në nivel të shërbyesve civilë në procesin e përmbushjes së kushteve për liberalizim të vizave me BE-në.

Besa Luci, hulumtuese në Klubin për Politikë të Jashtme, tha se Qeveria e Kosovës është duke dështuar në përmbushjen e shumë kritereve për liberalizimin e vizave që vetë i ka deklaruar.

Në barometrin numër dy konstatojmë se pavarësisht të arriturave kryesisht teknike dhe përkushtimin institucional e politik të demonstruar deri tani nga qeveria, nuk mund të pritet që Kosova do t’i përmbushë kushte për liberalizimin e vizave dhe se Qeveria po dështon në përmbushjen e kritereve dhe afateve kohore, të cilat i ka deklaruar vetë”, tha Besa Luci.

Më tej Besa Luci tha se mungesa e përkushtimit brenda hallkave të Qeverisë për t’i përmbushur obligimet që dalin nga Plani i Veprimit, shkaktohen edhe nga mungesa e udhërrëfyesit zyrtar të Komisionit Evropian, i cili do të mund të përdorej si mjet presioni dhe mekanizëm për kërkimin e përgjegjësisë në rast të mospërmbushjes së kritereve.

Nga ana tjetër, sipas Hajrullah Çekut, institucionet qeveritare duhet t’i vënë në prioritet më të lartë politikat që lidhen me çështjen e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, në momentin që Kosova do të marrë një udhërrëfyes nga Komisioni Evropian, atëherë do të duhej një rivlerësim i koordinimit dhe i përgjegjësisë institucionale në procesin e liberalizimit të vizave.

Pasaporta e Republikës së Kosovës

“Një nga problemet e brendshme në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave është struktura institucionale e koordinimit të të gjitha këtyre punëve”.


”Do të thotë se kemi mungesë totale të koordinimit në mes të institucioneve që duhet t’i përmbushin kriteret. Ju nëse e shihni këtë strategji që e ka miratuar vetë Qeveria, secili kriter e ka edhe përgjegjësin e vet, po në momentin kur definohen këta përgjegjës, atëherë secili e merr dhe e bën si një lojë vetjake dhe assesi nuk ka koordinim
”, theksoi Çeku.


Në numrin e dytë të barometrit të KPJ-së, kësaj radhe janë përmendur edhe çështjet e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit, korrupsionit, terrorizmit dhe drogës, të cilat hyjnë në sferën e kooperimit ligjor në çështjet penale.

Hajrulla Çeku, hulumtues nga KPJ-ja, shtoi se në krahasim me politikëbërësit, shërbyesit civilë në institucionet e Kosovës janë më të përkushtuar në përmbushjen e kritereve për në BE, sesa udhëheqësit e institucioneve.

“Ne e kemi vërejtur dallimin në përkushtimit që e kanë shërbyesit civil në Qeverinë e Kosovës për t’i përmbushur kriteret dhe seriozitetin politik të udhëheqësve që këtë punë dhe përkushtimin ta shtyjnë përpara edhe në rrafshin politik dhe të arrihet përmbushja e kritereve të caktuar”
, u shpreh Çeku.

Përfaqësuesit e Klubit për Politikë të Jashtme, derisa kanë publikuar raportin që mat rrugën e Prishtinës drejt BE-së, theksuan se Kosova ka nevojë për marrëveshje të tregtisë me BE-në, ndërsa arritja e këtij qëllimi, sipas Çekut, ende mbetet e largët.

“Prej momentit të kaluar kur Qeveria e ka dorëzuar pyetësorin në Komisionin Evropian për çështjen e marrëveshjes tregtare, nuk është ndërmarr asgjë konkrete. Ndoshta është një kohë e shkurtër por, nuk kemi evidentuar kurrfarë suksesi”
, nënvizoi Çeku.

Barometri i KPJ-së mat të arriturat e autoriteteve të Kosovës në marrëdhëniet me BE-në.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG