Ndërlidhjet

logo-print

S'mund të anashkalohet mendimi i GJND-së


Nju Jork

Nju Jork

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nuk mund ta anashkalojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, thonë analistët.

Duke iu referuar zhvillimeve në raportet Kosovë – Serbi, në prag të sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme, analistët politikë në Prishtinë thonë se pas këtij sesioni do të hapet çështja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Analisti Afrim Hoti thotë se kompromiset e para serbe me Bashkimin Evropian lidhur me rezolutën që ky shtet i procedon Asamblesë së Përgjithshme, sikur i japin shenjat e para të interesimit të Serbisë për integrimet evropiane, duke e lënë anash si prioritet interferimin e saj në statusin e Kosovës.

Hoti, megjithatë, thotë se për fillimin e relaksimit të raporteve Kosovë – Serbi, nuk është i mjaftueshëm vetëm ndryshimi, por tërheqja e tërësishme e rezolutës.

“Kjo tërheqje do të paraqiste një moment kthese në raportet Serbi - Bashkim Evropian. Në këtë dritë mendoj se do të kishim një relaks të raporteve edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse të dyja vendet do të shihnin perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe normalisht do të hiqnin dorë nga kursi politik, i ndjekur deri më tani”, thekson Hoti.

Analisti Ramush Tahiri thotë se, pavarësisht rrjedhave që do të marrë në raport me Kosovën sesioni i radhës i Asamblesë së Përgjithshme, pretendimet e Serbisë janë që shteti i Kosovës të bëhet jofunksional, marrë parasysh edhe qëllimet serbe që përmes dialogut të ardhshëm ta ndajë veriun si temë më vete.

“Serbia insiston që duke trajtuar çështjen e Kosovës, ta trajtojë edhe çështjen e deklarimit të popullit, faktikisht të shqiptarëve si kategori të qytetarëve të Serbisë, por edhe çështjen territoriale, duke mos e pranuar integritetin territorial të Kosovës dhe duke insistuar që Kosovën ta ndajë në dy zona – veriun ta ndajë në pozitë të veçantë dhe serbët nëpër enklava. Faktikisht, dëshiron ta bëjë jofunksional shtetin e Kosovës”, thotë Tahiri.

Sidoqoftë, analistët vlerësojnë po ashtu se pas GJND-së dhe Asamblesë së Përgjithshme, Kosova dhe Serbia do të duhej t’i definonin qartë fushat e bisedimeve, të cilat deri më tani janë cilësuar vetëm si çështje të hapura.

Definimi i çështjeve të hapura për dialog, sipas tyre, duhet të bëhet duke qartësuar se ky dialog do të zhvillohet ndërmjet dy shteteve për interesa dhe bashkëpunim reciprok.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG