Ndërlidhjet

Tërnava: Të mbretërojë harmonia dhe solidariteti


Prishtinë (Foto nga arkivi)
Prishtinë (Foto nga arkivi)
Në Xhaminë Sulltan Mehmet Fati, e njohur edhe si Xhamia e Madhe në Prishtinë, besimtarët myslimanë kanë falur të enjten Namazin e Fiter Bajramit.

Me këtë rast, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e tij para besimtarëve myslimanë, tha se festa e Fiter Bajramit është festë e një rëndësie të veçantë për ata që kanë agjëruar muajin e Ramazanit, por në përgjithësi edhe për të gjithë myslimanët.

“Në këtë ditë të shenjtë, nga ky vend i shenjtë, i ftoj të gjithë besimtarët tanë që të bashkëveprojnë drejt një shoqërie të shëndoshë, të pastër e të ndershme. Të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojnë viruse degjeneruese e devalvuese”,
tha Tërnava.

Ai kërkoi nga të gjithë qytetarët që të punohet për një të ardhme sa më të mirë dhe që në mesin e njerëzve të mbretërojë harmonia dhe solidariteti.

“Shoqëria jonë, si asnjëherë deri më tash, ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore. Ju bëj thirrje që të punoni për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë, që në mesin tonë të mbretërojë harmonia e solidariteti, që janë virtyte të vetë natyrshmërisë së njeriut në Islam”,
u shpreh Tërrnava.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, liderët e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare kanë uruar përfaqësuesit e Bashkësisë Islame dhe të gjithë qytetarët e besimit islam.

Në mesazhin e presidentit të Kosovës thuhet se “në këtë ditë kremteje, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata besimtarë të devotshëm e të urtë, të cilët me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit”.

Kosova, thuhet mes tjerash në mesazhin e presidentit, ka qenë gjithmonë një shembull i rrallë i bashkëjetesës, i tolerancës dhe i harmonisë mes njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike e fetare.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në viziten që i bëri Bashkësisë Islame, në emër të deputetëve të Kuvendit uroi të gjithë besimtarët myslimanë për Festën e Bajramit.

“I shprehem urimet tona Bashkësisë Islame dhe të gjithë qytetarëve myslimanë të Kosovës, urimet më të mira që në mesin e tyre të sundojë dashuria, mirëqenia, harmonia dhe toleranca”.

“Ne jemi të bindur se si shoqëri kemi të arriura të mëdha dhe për çdo vit ka ndryshime... Për çdo Bajram po ndodhin ndryshime të reja dhe këtyre ndryshimeve iu gëzohemi”,
tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, në Bashkësinë Islame tha:

“Të gjithë kemi qenë në festë këto ditë, edhe katolikët, edhe myslimanët. Kjo është dëshmi që ne festojmë së bashku, në praninë e njëri-tjetrit, është një dëshmi e fuqishme që do të ecim në gjurmët e të parëve tanë, për t’i dhënë kuptim të mirë gjithmonë pranisë dhe bashkëjetesës sonë si vëllezër”, tha Gjergji.

Selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës e ka vizituar një delegacion i Qeverisë së Kosovës, në të cilin ka qenë i pranishëm dhe komandanti i ri i KFOR-it, Erhard Byhler. Bashkësinë Islame e kanë vizituar edhe përfaqësues të tjerë të partive politike dhe qytetarë të shumtë.
XS
SM
MD
LG