Ndërlidhjet

Obama: Djegia e Kuranit, ndihmë për Al Kaidën


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka kërkuar nga drejtuesit e një kishe të vogël në Florida që të heqin dorë nga planet për djegien e Kuranit.

Duke folur për mediat amerikane, Obama i cilësoi planet si “shkatërruese” dhe një qëndrim i rrezikshëm.

Ai shtoi se planet për djegien e librit të shenjtë të fesë islame janë “ndihmë për Al Kaidën në rekrutimin e militantëve”. Sipas presidentit amerikan, djegia e Kuranit “është tërësisht kundër vlerave tona si amerikanë”.

Komandantët ushtarakë të SHBA-ve kanë tërhequr vërejtjen se djegia e Kuranit mund të rrisë numrin e sulmeve kundër trupave amerikane në Afganistan apo në vende të tjera.

Zemërimi lidhur me planet e kishës në Shtetet e Bashkuara për të djegur qindra kopje të Kuranit po rritet gjithmonë e më shumë në botë. Vatikani i ka dënuar planet e kishës së vogël në Florida.

Presidenti i Indonezisë, Susilo Bambang Judoiono, i ka shkruar homologut të tij amerikan, ku kërkon ndërhyrjen personale të Obamës.

India dhe Pakistani kërkuan nga autoritetet amerikane të marrin “veprime të fuqishme”. India kërkoi që media të mos e mbulojë ngjarjen.

Autoritetet amerikane kanë thënë se nuk mund të bëjnë shumë për të ndaluar djegien, pasi kjo garantahohet në Kushtetutë me lirinë e fjalës.

Nga ana tjetër, drejtuesi i kishës që ka marrë iniciativën thotë se djegia e qindra kopjeve të Kuranit më 11 shtator, në përvjetorin e sulmeve terroriste kundër SHBA-ve, synon të tërheqë vërejtjen se islami është një fe e dhunshme. (i.b.)
XS
SM
MD
LG