Ndërlidhjet

logo-print

Klinton veçon sukseset e administratës Obama

  • RFE /RL

Hillari Klinton

Hillari Klinton

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, i theksoi sanksionet ndaj Iranit dhe bisedimet për marrëveshjen e re START me Rusinë, si suksese kryesore të politikës së jashtme të administratës Obama.

Në një fjalim të zgjeruar ku përmendi zhvillimet kryesore diplomatike në 18 muajt e fundit, Klinton tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me sukses po lundrojnë në një botë më komplekse dhe më të ndërlidhur.

Duke folur në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, Klinton tha se administrata Obama u përqendrua në zgjatjen e dorës aleatëve.

“Pas më shumë se një viti e gjysmë, filluam t’i shohim përfitimet nga kjo strategji. Ne i çuam përpara interesat e Amerikës dhe bëmë përparim në shumë sfida. Mund të themi me plot bindje se ky model i udhëheqjes amerikane funksionon dhe e ofron shpresën më të mirë në një botë të rrezikshme”,
tha Klinton.

Ajo shtoi se lundrimi i suksesshëm në një botë tejet të ndërthurur e ka sjellë Amerikën në pikën, e cila duhet të shfrytëzohet.

Fjalimi i sekretares Klinton vjen në një kohë kyçe për administratën Obama, kur rritet spiralja e deficitit buxhetor, bie popullariteti i presidentit, ndërsa partia e tij Demokratike përpiqet t’i zbusë humbjet në zgjedhjet e nëntorit për Kongres.

Duke përmendur qasjen e dyfishtë të Obamës për zgjidhjen e problemit iranian, Klinton tha se sanksionet nuk do të duhej ta përjashtojnë zgjidhjen e mundshme diplomatike.

“Sanksionet dhe presioni nuk janë qëllime në vetvete. Ato e mbështesin levën e zgjidhjes së negociuar, për të cilën ne dhe partnerët tanë mbetemi të përkushtuar. Zgjedhja për udhëheqësit iranianë është e qartë. Ata duhet të vendosin nëse do t’i pranojnë obligimet e tyre ose rritjen e izolimit dhe koston që e përcjell. Ne, ndërkohë, do të shohim si do të vendosë Irani”, theksoi Klinton.

Ajo, gjithashtu, dha një parashikim sa i përket popullit iranian, për të cilin tha se më në fund do “t’i përgjigjet” vendit të tij, i cili po bëhet “diktaturë ushtarake me bazë fetaro-ideologjike”.

Klinton gjithashtu i quajti të rëndësishme negociatat me Rusinë për reduktimin e armatimit bërthamor.

Ajo potencoi se rifillimi i marrëdhënieve me ish-rivalin e Luftës së Ftohtë, doli si prioritet i parë për administratën Obama, që prodhoi arritje në fushën e mospërhapjes së armatimit bërthamor dhe krijimin e komisionit të përbashkët presidencial. Rusia gjithashtu u dakordua të lejojë kalimin tranzit të trupave amerikane dhe furnizimeve në territorin e saj për në Afganistan.

Klinton e ripërsëriti qëndrimin e njohur të administratës se bashkëpunimi më i ngushtë me Rusinë në disa çështje, nuk i përjashton çështjet ku vendet kanë mospajtime.

“Mosmarrëveshjet janë të pashmangshme për disa çështje, siç janë të drejtat e njeriut me Kinën apo pushtimi rus i Gjeorgjisë. Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të flasin për këto. Kur këto vende nuk i pranojnë përgjegjësitë që dalin me ndikimin në rritje, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që t’i inkurajojmë ta ndryshojnë kursin”, tha Klinton. (v.p.)
XS
SM
MD
LG