Ndërlidhjet

NYT: Shërueset e 11 Shtatorit


 Grand Zero
Grand Zero
"New York Times"

Gjatë kësaj fundjave, Susan Retik, një hebreje që humbi bashkëshortin gjatë sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, planifikon të flasë në një xhami në Boston. Ajo synon të gjejë mbështetës në mesin e besimtarëve që frekuentojnë këtë xhami, për betejën e saj kundër varfërisë dhe analfabetizmit në Afganistan.

Susan Ritek ka ndjekur ndoshta rrugën më të pazakontë dhe njëherësh më frymëzuesen pas sulmeve të 11 Shtatorit. Ky përvjetor i sivjetshëm tingëllon vrazhdë, pasi disa po përpiqen ta kujtojnë me fjalë urrejtje dhe djegien e Kuranit.

Menjëherë pas sulmeve terroriste, Retik u lidh me një tjetër grua, PATTI Quigley. Të dyja kishin humbur bashkëshortët në ato sulme ndërkohë që prisnin të bëheshin nëna. Fëmijët e tyre nuk do t'i njohin baballarët. Të dërmuara nga tragjedia, ato kuptuan se të veja si ato ishin rreth gjysmë milionë gra në Afganistan. Ky numër do të rritej derisa atje nisi një tjetër luftë. Të dyja gratë kuptuan se të vejat afgane mund të ishin një forcë stabilizuese në vend.

Në kohën kur qeveria amerikane reagoi me raketa e bomba pas sulmeve të 11 Shtatorit, Retik dhe Quigley i drejtuan sytë nga projektet që luftojnë varfërinë, në vendin ku ishin ngjizur sulmet që i ndryshuan jetët e tyre.

Organizata që ato nisën “Beyiond the 11th” deri tani ka ndihmuar mbi 1000 të veja afgane që të fillojnë biznese të vogla. Është kjo një përpjekje për të ndihmuar një nga grupet më në nevojë në botë, si dhe për t’iu përgjigjur ndryshe mosbesimit, urrejtjes dhe papunësisë të ngritur nga talibanët.

“Më shumë vende pune do të thotë më pak dhunë”, thekson Retik dhe shton:

”Është naive të mendosh se ne do ta ndryshojmë atë vend, por ndryshimi duhet të nisë nga diku. Nëse mund të aftësojmë një grua që të jetë në gjendje të sigurojë jetesën për familjen e saj, kjo do të thotë se së paku katër ose pesë veta do të kenë një strehë mbi kokë, ushqim në tryezë dhe një mundësi për arsim”.

Në kohëra të errëta kemi tendencën të shtypim pjesën tonë të mirë. Me këto dy zonja ka ndodhur ndryshe. Paul Barker, që ka punuar për shumë vjet në Afganistan me organizatën “CARE”, thotë se nëse qeveria amerikane do të ndante pasionin e këtyre grave për arsimin dhe zhvillimin, do të ishte arritur shumë më tepër.

Në mesin e aktiviteteve të iniciuara nga këto dy gra, janë ngritja e një fabrike për prodhimin e topave të futbollit, ku të punësuar, por dhe drejtimin e kanë marrë gra të veja, të cilat më parë janë aftësuar. Po kështu, një numër kryefamiljaresh janë pajisur me pula apo gjë të gjallë që të mund të sigurojnë jetesën për familjet e tyre. Projekti i ardhshëm i zonjës Retik në Afganistan është të mbështesë një projekt për mikrofinancat.

Është e qartë se të gjitha këto aktivitete nuk do ta kthejnë Afganistanin në një vend paqësor. Por, faktet tregojnë se përmes arsimit e zhvillimit bëhet më shumë për të luftuar fundamentalizmin. E, këto rrugë janë edhe më të lira.

E admiroj punën e zonjës Retik se ajo është e kundërta e histerisë anti-islame që po errëson aktivitetet e këtij përvjetori të 11 Shtatorit.

Puna e saj synon t'i bashkojë të gjitha fetë kundër armiqve të përbashkët të njerëzimit, padijes dhe varfërisë, çfarë reflekton një fuqi morale e mendore, e aftë që të mund të largojë terrorizmin. (i.b.)

XS
SM
MD
LG