Ndërlidhjet

logo-print

AP-ja miraton rezolutën për Kosovën


Rezoluta rreth Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është miratuar pa dalë në votim. Dokumenti ishte paraqitur nga Serbia dhe të 27 vendet anëtare të BE-së.

Propozim-rezoluta u paraqit para pjesëmarrësve nga Vuk Jeremiq, ministër i Jashtëm i Serbisë. Jeremiq, gjatë paraqitjes, përsëriti se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Azerbajxhiani e mori fjalën i pari dhe theksoi se nuk mbështet zgjidhjet e njëanshme, por kërkon zgjidhje që ndihmojnë paqen. Venezuela dhe Argjentina ishin dy vendet e tjera që diskutuan para miratimit të rezolutës. Të tria këto vende nuk e kanë njohur Kosovën.

Pas miratimit foli përfaqësuesja e SHBA-ve, e cila përsëriti mbështetjen amerikane për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Përfaqësuesi i Turqisë theksoi se mendimi i GJND-së ka legalizuar pavarësinë e Kosovës.

Brazili përsëriti se Rezoluta 1244 mbetet bazë për zgjidhjen e problemit të Kosovës në plan afatgjatë. Brazili nuk e ka njohur Kosovën dhe këtë qëndrim e përsëriti edhe në seancë.

Rusia theksoi se qëndrimi i saj ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

Kina e merr në konsideratë opinionin e GJND-së, por ky mendim nuk duhet të përjashtojë një marrëveshje të pranuar nga të dyja palët.

Rusia dhe Kina janë dy vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat e kundërshtojnë pavarësinë, ndonëse jo në forma të njëjta.

Ambasadori i Shqipërisë në OKB nënvizoi faktin se GJND-ja theksoi se shpallja e pavarsisë nuk ka shkelur as ligjin ndërkombëtar e as Rezolutën 1244.

Seanca e pasdites e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së filloi me rreth dy orë e gjysmë vonesë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, sqaroi para fillimit të seancës se “delegacioni serb ka kërkuar që përfaqësuesit e Prishtinës të ulen te vendet për mysafirët apo te lozha e gazetarëve dhe jo tek ulëset e parapara fillimisht për delegacionin e Kosovës”.

Delegacioni kosovar nuk pranoi të largohet nga vendet e ofruara fillimisht, pasi, sipas tij, kjo do të ishte fyerje për Kosovën.
XS
SM
MD
LG