Ndërlidhjet

Rezoluta legjitimon mendimin e GJND-së


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Përfaqësues të Prishtinës zyrtare thonë se me miratimin e rezolutës së Serbisë, e cila u bashkësponsorizua nga Bashkimi Evropian, Asambleja e Përgjithshme i dha legjitimitet politik mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se Qeveria mirëpret rezolutën.

“Qeveria e Kosovës e ka mirëpritur miratimin e Rezolutës në Aasamblenë e Përgjithshme, është një legjitimim politik i mendimit të GJND-së. Në këtë drejtim kemi mirëpritur angazhimin e SHBA-ve, të BE-së dhe të shteteve tjera”,
tha Kuçi.

Rezoluta tashmë e miratuar përshëndet gatishëmrinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesn e dialogut mes palëve. Por, çka do të përfshihet në këtë dialog?

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se përgjigjja është në vetë rezolutën e miratuar.

Jakup Krasniqi

“Kjo çështje është thënë në pikën e fundit të rezolutës që është miratuar dje në Asamblenë e Përgjithshme. Po të lexohet me vëmendje dhe me kujdes kjo pikë, aty janë të kanalizuara çështjet, për të cilat do të bëhet dialogu mes Serbisë dhe Kosovës”.

“Do të thotë, janë çështje jopolitike, janë çështje të interesit të përbashkët, për sigurinë, për stabilitetin, për kualitetin e jetës së qytetarëve dhe për angazhimet e përbashkëta drejt integrimeve në BE".


"Konsideroj se rezoluta, në një apo mënyrë tjetër, ka kufizuar temat për të cilat duhet të dialogohet”,
tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Hajredin Kuçi tha se rezoluta i hap rrugë dialogut ndërshtetëror.
...që nënkupton bisedime në mes të dy shteteve sovrane dhe bisedime për karakter ndërshtetëror...


“Mendoj se rezoluta ka gatishmërinë e saj të plotë për respektimin e GJND-së. Do të thosha se ka krijuar bazamentin e plotë për qasje pozitive dhe në bisedime të tjera, që nënkupton bisedime në mes të dy shteteve sovrane dhe bisedime për karakter ndërshtetëror”.

“Mendoj se në këtë drejtim do të jemi të qartë, ndërsa koha e bisedimeve dhe çështjet e tjera janë çështje që do t’i diskutojmë dhe brenda institucioneve të Kosovës, por në veçanti me partnerët tanë, me SHBA-të dhe me BE-në”,
tha Kuçi.

Rezoluta, pak a shumë, kështu lexohet edhe nga përfaqësues të opozitës.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, theksoi se kryefjalë e tekstit është dialogu me Serbinë, por duke përjashtuar çështjen e statusit.
Rezoluta shpreh për herë të parë një unanimitet të 27 vendeve anëtare të BE-së, në raport me pavarësinë e Kosovës...


“Rezoluta, me asgjë në përmbajtjen e saj, nuk lë të kuptohet se do të ketë bisedime për statusin dhe kufijtë e shtetit të Kosovës. Rezoluta shpreh për herë të parë një unanimitet të 27 vendeve anëtare të BE-së, në raport me pavarësinë e Kosovës. Ky fakt krijon rrethana, besoj të favorshme, në proceset e përafrimit të Kosovës me BE-në”,
tha Gashi.

Nga perspektiva e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan, shef i delegacionit për Evropën Juglindore, tha se rezoluta do të mundësojë një dialog, i cili do të normalizojë gjendjen në terren.

Ai i bëri këto komente gjatë takimeve me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Eduard Kukan

“Ne po flasim për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, mbi çështjet që do të ndihmojnë për të krijuar kushte, të cilat do të jenë profitabile për të dyja shtetet dhe që do të krijojnë një atmosferë për një stabilitet më të madh dhe për zhvillime pozitive në Ballkan”.

“Çështja e diskutimeve do të duhej të ngrihej nga të dy partnerët. Rëndësia e rezolutës është se tash të dy partnerët kanë bazën, kanë mundësinë, që të angazhohen në bisedimet, të cilat në plan afatgjatë krijojnë situatë normale në këtë rajon”,
tha Kukan.


Serbia, nën trysninë e BE-së, ka ndryshuar në momentin e fundit rezolutën e deponuar në Asamblenë e Përgjithshme. Liderët e vendeve të BE-së si dhe ata kosovarë e kanë mirëpritur propozimin e ndryshuar, i cili u miratua mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme pa votim.
XS
SM
MD
LG