Ndërlidhjet

Maqedonia mirëpret miratimin e rezolutës


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Shkupi zyrtar e ka mirëpritur miratimin e rezolutës së Serbisë. Zëvendëskryeministri Abdulhaqim Ademi për Radion Evropa e Lirë vlerëson se rezoluta në fjalë fillimisht e harmonizuar me qëndrimin e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Asamblesë së Përgjithshme, vulos edhe më shumë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kjo është një vazhdimësi e të gjitha aktiviteteve që janë ndërmarrë deri më tani, sa i takon pavarësisë së Kosovës...


“Kjo është një vazhdimësi e të gjitha aktiviteteve që janë ndërmarrë deri më tani, sa i takon pavarësisë së Kosovës, duke theksuar dhe një herë vendimin e GJND-së, i cili vulosi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës”.


“Andaj, edhe kjo rezolutë paraqet vazhdimësi të atij suksesi”
, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdulaqim Ademi, sipas të cilit rezoluta hap perspektiva të reja, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për tërë rajonin, duke instaluar një frymë të re të bashkëpunimit mes vendeve fqinje.

“Kjo rezolutë gjithashtu i hap rrugë bashkëpunimit rajonal, veçanërisht dialogut të drejtpërdrejtë mes Kosovës dhe Serbisë dhe i vendos në nivel të njëjtë, në nivel të barabartë të dy shtetet, Serbinë dhe Kosovën si dy shtete të pavarura”.

“Kuptohet, në këto bisedime nuk do të bisedohet për statusin, ngase ajo është çështje e kryer, por të dy vendet kanë nevojë për të biseduar dhe për çështje tjera të bashkëpunimit ekonomik, të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimit në sfera të interesit të ndërsjellë”
, vlerësoi Ademi.

Vllado Buçkovski

Ndërkaq, Vllado Buçkoski, ish-kryeministër i Maqedonisë, thekson se miratimi i rezolutës së Serbisë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me vetë faktin që ajo u bashkësponsorizua nga Bashkimi Evropian, është garanci për fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit, si dy vende të pavarura dhe sovrane.

“Mendoj se pas kësaj do të përmirësohen gjasat që të zgjidhen çështjet e hapura që kanë autoritetet e kosovare me serbët në pjesën veriore të Kosovës dhe, nga ana tjetër, hapen dyert që Serbia deri në fund të këtij viti të afrohet edhe më shumë drejt Bashkimit Evropian”
, theksoi Vllado Buçkovski, ish-kryeministër i Maqedonisë.

Buçkovski më pas nënvizoi se “pikërisht për këto arsye për Maqedoninë dhe për Ballkanin, në përgjithësi, miratimi i rezolutës paraqet lajm të mirë”.
XS
SM
MD
LG