Ndërlidhjet

Pastori, 11 Shtatori dhe myslimanët...

  • Heather Maher

Pastori Teri Xhons dhe kreu i Shoqërisë Islamike në Florida, Muhamed Musri, pas konferencës për shtyp...

Pastori Teri Xhons dhe kreu i Shoqërisë Islamike në Florida, Muhamed Musri, pas konferencës për shtyp...

Pastori i kishës së vogël në Florida, Teri Xhons, tashmë ka hequr dorë nga synimi për të djegur kopjet e Kuranit më 11 shtator. Në konferencën për shtyp, pastori Xhons tha se ka hequr dorë nga ky plan, pasi që lideri i projektit kontrovers për ndërtimin e një qendre islamike në vendin e sulmeve të 11 Shtatorit në Nju Jork, është pajtuar që ky projekt të zhvendoset në një lokacion tjetër.

Unë do të takohem të shtunën me imamin në vendin ku ishte kërkuar ndërtimi i xhamisë. Ai është pajtuar që ky lokacion të zhvendoset. Kuptohet, kjo nuk mund të ndodhë brenda nate, por ai është pajtuar për zhvendosje. Populli amerikan nuk e dëshiron xhaminë në atë pozicion dhe, kuptohet, myslimanët nuk dëshirojnë që ne të djegim Kuranin”, ka thënë pastori Teri Xhons.

Por, pohimet e pastorit Xhons janë përgënjeshtruar menjëherë nga imami Feisal Abdul Rauf, që kryeson projektin për xhaminë në Nju Jork, i cili ka thënë se ai nuk është pajtuar me zhvendosjen.

Pastori Xhons më pas ka thënë se ai ishte keqinformuar nga imami i Floridës dhe se ai tash është duke rishqyrtuar vendimin për djegien e Kuranit.

“Për momentin, ne nuk kemi hequr dorë nga djegia e Kuranit, por vetëm kemi suspenduar këtë akt”, i ka thënë pastori Xhons televizionit ABC.

Planet e pastorit Xhons për djegjen e Kuranit janë kritikuar nga liderët politikë dhe religjiozë në gjithë botën.

Dje, presidenti amerikan, Barak Obama, planet e pastorit Xhons i ka cilësuar “destruktive”.

“Nëse pastori Teri Xhons është duke dëgjuar, shpresoj të kuptojë se ajo që ai është duke propozuar, është në kundërshtim të plotë me vlerat, mbi të cilat është ndërtuar Amerika dhe që konsistojnë në lirinë dhe tolerancën fetare”, ka thënë presidenti Obama.

Zyrtarë të vendeve me popullatë shumicë myslimane kanë apeluar te presidenti Obama që të ndalë pastorin Teri Xhons.

11 shtator 2001
Me afrimin e 11 Shtatorit, ditës që shënon 9-vjetorin e sulmeve masovike terroriste në Nju Jork dhe Uashington nga terroristët e Al Kaidës, me ç’rast vdiqën rreth 3 mijë veta, tensionet kanë qenë në rritje. Filluan me bërjen publike të planeve për ndërtimin e një xhamie në vendin e sulmeve terroriste dhe vazhduan me synimet e pastorit Teri Xhons për të djegur Kuranin.

Para 11 Shtatorit, 6 milionë amerikanët e fesë myslimane jetonin të qetë, sepse Islami gjerësisht ishte i pranuar si një nga pasuritë religjioze të vendit. Pas 11 Shtatorit, një pjesë e myslimanëve amerikanë u desh t’u dëshmonin fqinjëve të tyre jomyslimanë se Islami është religjion paqësor dhe se grupet terroriste si Al Kaida nuk kanë asgjë të përbashkët me të.

Ndonëse numri i incidenteve është i vogël, numri i amerikanëve që thonë se kanë “opinione të papafavorshme” për Islamin, është në nivelin më të lartë nga 11 Shtatori.

Kasem Ali, administrator i Qendrës Islamike Amerikane në Dearbon të Miçigenit, thotë se si përgjigje tensioneve të fundit dhe në respekt të viktimave të 11 Shtatorit, do të mbajnë një lutje, të shoqëruar nga dhjetë organizata religjioze, duke përfshirë edhe ato hebreite dhe kristiane.

Kasem Ali thotë se, marrë në tërësi njerëzit në Dearbon, ku jeton popullata më e madhe myslimano – amerikane, nuk janë të ballafaquar me ndryshime për të keq në jetën e tyre të përditshme:

“Jemi të vetëdijshëm për këto incidente. Shpresojmë të dërgojmë mesazhin e tolerancës dhe paqes dhe të bëhemi shembull se si duhet reaguar ndaj gjërave të tilla”, thotë Kasem Ali.

Në këtë frymë flet edhe Abas Koroma, drejtor i bibliotekës së Qendrës Islamike në Uashington. Ai pohon se incidentet e izoluara nuk kanë influencuar ndjenjat e tij të ngrohta për Amerikën.

Jo, jo, jo...Është fakt i gjallë se ne jemi të lejuar të ushtrojmë besimin tonë në këtë vend, në masën që ne duam”, thotë Abas Koroma.

Porosia e tij për amerikano – myslimanët tjerë është që të jetojnë në harmoni me Kuranin, madje edhe kur bashkatdhetarët e tyre kërcënojnë ta djegin atë, si simbol i urrejtjes sy tyre për Islamin.

Duhet të jemi tolerantë, të veprojmë dhe jetojmë drejt. Nuk bën të jemi arrogantë, agresivë dhe luftarakë. Duhet të jemi paqësorë. Duhet të ndjekim rrugën e Islamit, të sjellë nga profeti Muhamed”, thotë Koroma.

Bashkëmendimtari i Abas Koromës, përkatësisht Muhamed Vahli dhe të tjerë thonë se Kurani i ka mësuar që rruga e vetme për t’iu përgjigjur urrejtjes, është mirësia dhe shton:

“Nuk kam asnjë problem. Lutem, mësoj Kuranin dhe agjëroj. Jam i lumtur”, thotë Vahli dhe konkludon se “nëse dikush është duke bërë diç të keqe, provo ta edukosh, sepse hakmarrja nuk është gjë e mirë për t’u bërë. (m.k.)
XS
SM
MD
LG