Ndërlidhjet

Eshton: Bisedimet Kosovë-Serbi, në Bruksel


Ketrin Eshton
Ketrin Eshton

Ketrin Eshton tha se nuk i ka premtuar Serbisë asgjë në këmbim të ndryshimeve tekstit të rezolutës për Kosovën. Spanja nga ana tjetër përsërit qëndrimin kundër njohjes.


Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, ka thënë të premten në Bruksel se ajo shpreson se bisedat në mes të Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohen në Bruksel.

Ajo e ka thënë këtë në fillim të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, i cili ka filluar të premten dhe vazhdon edhe të shtunën në Bruksel dhe që ka karakter joformal.

Ndonëse Kosova nuk është parashikuar të ishte ndër temat kryesore të këtij takimi, shumë ministra kanë folur për Kosovën. Ata kanë përshëndetur miratimin rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të cilën e kishte propozuar Serbia me mbështetjen e të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, pasi që Serbia kishte pranuar edhe kushtet e vendeve të BE-së.

Disa ministra të vendeve të BE-së kanë thënë se pas këtij ndryshimi në politikën e Serbisë, ka ardhur koha që edhe Bashkimi Evropian të lëvizë dhe të shqyrtojë aplikimin e Serbisë për në BE, mirëpo askush për këtë nuk ka thënë ndonjë datë.

E pyetur se çfarë i ka ofruar Serbisë për të ndryshuar qëndrimin, Eshton ka thënë se nuk ka ofruar asgjë në tryezë, mirëpo vetëm ka shpjeguar rëndësinë e rastit që kanë, si Serbia, ashtu edhe Kosova, e ajo është që të ecin drejt së ardhmes evropiane.

Eshton ka theksuar se në bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, tek ata ka vërejtur një gatishmëri për të lëvizur përpara dhe pret që ajo gatishmëri tash të shndërrohet në gatishmëri për të nisur dialogun për, siç tha ajo, realitetin dhe gjërat reale në terren.

Ministrat e ndryshëm të Bashkimit Evropian kanë thënë se pasi që e ardhmja evropiane e Kosovës dhe e Serbisë është diçka e përbashkët e tyre, është krejtësisht logjike që bisedimet dhe dialogu duhet të zhvillohet në Bruksel nën mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Por, disa ministra kanë ripërsëritur edhe kundërshtimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës. Kështu ministri i jashtëm i Spanjës, Angel Miguel Moratinos, edhe të premten në Bruksel ka thënë se, sipas tij, Serbia nuk e ka ndryshuar qëndrimin rreth Kosovës, e as që e ka bërë këtë Spanja.

Spanja nuk e njeh dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës ka përsëritur ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos.

Arritja e pajtimit me Serbinë rreth rezolutës për Kosovën, vlerësohet si një ndër sukseset më të mëdha të deritashme të përfaqësueses së lartë Ketrin Eshton.
XS
SM
MD
LG