Ndërlidhjet

Refuzohet kërkesa e Haradinajt për lirim të përkohshëm


Ramush Haradinaj (Foto nga arkivi)

Ramush Haradinaj (Foto nga arkivi)

Tribunali i Hagës për krime të luftës e refuzoi të premten kërkesën e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për lirim të përkohshëm, derisa të fillojë procesi i ri gjyqësor, duke thënë se kjo do të mund t'i inkurajonte mbështetësit e tij, që t’i frikësojnë dëshmitarët.

Në vendimin e sotëm, Tribunali i Hagës tha se Ramush Haradinaj nuk paraqet rrezik personal për sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave.

Por, është pranuar argumenti i prokurorëve, se lirimi i tij mund të tërheq më tepër vëmendje të mediave, duke e shtuar atmosferën kërcënuese për dëshmitarët dhe se një publicitet i tillë mund t’i inkurajojë mbështetësit e Haradinajt për angazhim në akte të frikësimit.

Michael O’Reilly, koordinator i mbrojtjes së Ramush Haradinajt, tha se “mbrojtja është e zhgënjyer”, që Tribunali i Hagës ka vendosur që të mos i ofrojë lirimin e përkohshëm.

Megjithatë, mbrojtja është e “inkurajuar nga deklarata e Tribunalit, që rigjykimi i pjesërishëm, mund të fillojë pa ndonjë vonesë dhe se ky është faktori, i cili është marrë për bazë me rastin e vendimmarrjes”.

Më tutje, O’Reilly, e vlerësoi “deklarimin pozitiv të Tribunalit, sa i përket bashkëpunimit të një niveli të lartë të z. Haradinaj me Tribunalin, duke pranuar se ai nuk paraqet rrezik për sigurinë e asnjë personi”.

Mbrojta do të konsultohet me Haradinajn, para se të vendosë se a do të ankohet kundër këtij vendimi të Dhomës së Apelit të Tribunalit. (f.b.)
XS
SM
MD
LG