Ndërlidhjet

“Tema e temave (të bisedimeve Prishtinë-Beograd) është njohja e Kosovës nga Serbia dhe kjo çështje duhet të trajtohet sa më parë. Gjithçka tjetër ndërlidhet me këtë - pra, kushtet në të cilat Serbia do të jetë e gatshme ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori për Ballkanin i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec.


RADIO EVROPA E LIRË
Pamë të enjten një shtyrje disaorëshe të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Draft-rezoluta e modifikuar e Serbisë u miratua pastaj me aklamacion. A mund të na jepni një vlerësim tuajin për zhvillimet që ndodhën në këtë takim?

MARKO PRELEC

Mendoj se kjo është e mirë, në radhë të parë për Kosovën, sepse siguron bisedime nën ombrellën e Bashkimit Evropian, ku as Serbia e as Kosova nuk do të jenë në avantazh. Në fakt, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e 22 vendeve që e kanë njohur atë. Pastaj edhe 5 shtetet evropiane që nuk e kanë njohur atë tregojnë, të paktën jo zyrtarisht, se pranojnë që pavarësia e Kosovës është një fakt i pakthyeshëm.

Pra, ky është një përfundim i mirë për Kosovën, por edhe për rajonin, sepse bëhet fjalë për bisedime bilaterale, që mundësojnë që të arrihet një pajtim i plotë në mes të Prishtinës e Beogradit, e me të cilat mund të zgjidhen çështjet themelore.

Në anën tjetër, është e mirë për Serbinë, e cila dinte që Kosova nuk do të pajtohej me bisedime nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ku Serbia do të ishte padrejtësisht në avantazh si shtet anëtar. Kosova as nuk do të pranonte bisedimet nën një rezolutë me fjalorin origjinal serb që fliste për secesion unilateral.

Për mua, është e çuditshme se si Serbia është dashur të detyrohej që ta pranonte gjuhën e kësaj rezolute - nuk mund të jetë asgjë tjetër përveçse një gabim i ekipit të saj të politikës së jashtme, e cila gati sa e humbi një mundësi historike për të zgjidhur një nga çështjet kryesore, duke kërkuar që të rrisë përparësitë e saj taktike.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, rezoluta e miratuar përmend mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. A përbën kjo një hap drejt njohjes së Kosovës nga ana e Beogradit?

MARKO PRELEC

Ajo përmend mendimin e gjykatës në mënyrë shumë neutrale - e merr parasysh mendimin e gjykatës. Andaj, nuk mendoj se ajo përbën pranimin formal të Serbisë për pavarësinë e Kosovës. Por, hyrja e Serbisë në këtë proces nënkupton hyrjen në një proces ku një nga përfundimet e mundshme - në fakt i vetmi përfundim real, do të jetë një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbi njohjen reciproke.

Këtë mund ta marrim si një marrëveshje paraprake nga ana e Serbisë për të hyrë në diskutime të këtij lloji. Arsyeja kryesore që Serbisë i duhej një rezolutë e Kombeve të Bashkuara, ishte që ajo të jetë në gjendje të ulej me përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kosovës pa u akuzuar brenda vendit për njohjen implicite pa aktin e negocimit, diskutimit apo hyrjes në një dialog.

Tani, Serbia do të jetë në gjendje të thotë se, ‘Jemi thjesht duke e pranuar një ftesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe të Bashkimit Evropian’. Kjo u duhej atyre për të qenë gati të ulen e të bisedojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, disa shtete prapë përmendën rezolutën 12 44. A ka ndryshuar rezoluta e miratuar serbe diçka në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës, Beogradit, por edhe Bashkimit Evropian e Kombeve të Bashkuara?

MARKO PRELEC

Jo nuk besoj se ka ndodhur kjo. Kombet e Bashkuara e kanë njohur, jo vetëm në Evropë, por gjithandej botës, rëndësinë për trupa rajonale, e në këtë rast Bashkimin Evropian. Andaj nuk është e pazakontë t’i bëhet thirrje Bashkimit Evropian ose të pranohet ftesa e BE-së që t’i udhëheqë këto bisedime.

Thirrjet në 12 44-shin janë vetëm pjesë e një loje diplomatike, të cilën e bën Serbia për t’ua kujtuar njerëzve gjuhën në atë rezolutë mbi integritetin e saj territorial e kështu me radhë. Në këtë moment ajo ka një rëndësi të kufizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. A mendoni se këto bisedime mund të zhvillohen brenda këtij viti?

MARKO PRELEC

Mendoj se ato duhet të zhvillohen këtë vit, apo më së largu në fillim të vitit të ardhshëm, sepse pas kësaj, ne fillojmë të hyjmë në një sezon elektoral, fillimisht në Kosovë, e pastaj edhe në Serbi kur këto çështje do të politizohen më shumë se sa që janë tashmë.

Andaj, tani ekziston një dritare e mundësisë për t’i trajtuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa kjo dritare të paktën përkohësisht do të mbyllet përgjatë vitit të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave rekomandon që agjenda e këtyre bisedimeve të përgatitet nga përfaqësuesit e të dy palëve. Autoritetet në Prishtinë thonë se janë të gatshëm që me Beogradin të flasin vetëm në cilësinë e dy shteteve sovrane; Beogradi dëshiron të rihapë çështjen e statusit të Kosovës. A ka ndonjë hapësirë për kompromis?

MARKO PRELEC

Po, ka. Për momentin të dy anët janë duke “pozuar”, por realiteti është se kur të ulen, Kosova do të jetë natyrisht shtet sovran dhe Serbia nuk do ta ketë njohur ende atë.

Shikuar nga këndvështrimi serb, të gjitha bisedimet do të jenë bisedime, të cilat në njëfarë mënyre prekin çështjen e statusit të Kosovës. Shikuar nga këndvështrimi i Kosovës - kjo çështje është kryer shumë kohë më parë.

Pra, kjo është diçka e pashmangshme dhe insistimi në të nga të dy palët bëhet për t’i ritheksuar qëndrimet kryesore politike dhe nuk është një parakusht për bisedime. Insistimi i cilësdo palë në një lloj njohje eksplicite për qëndrimin e saj, si parakusht për bisedime; është një sinjal për mungesën e seriozitetit në hyrjen e bisedimeve.

Realiteti është se duhet t’i kemi përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Beogradit në një dhomë, larg syve të publikut në mënyrë që ata të kenë një mundësi t’i drejtohen njëri-tjetri për të shikuar se a ka hapësirë për të ecur përpara në çështjet, në të cilat janë të ndarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mund të jenë temat, që mund t’i bisedojnë të dy palët, duke marrë parasysh qëndrimet aktuale?

MARKO PRELEC

Tema e temave është njohja e Kosovës nga Serbia dhe kjo çështje duhet të trajtohet sa më parë. Gjithçka tjetër ndërlidhet me këtë, pra, kushtet në të cilat Serbia do të jetë e gatshme ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Por, a është e gatshme apo jo Serbia ta hedhë këtë hap?

Mendoj se janë dhënë sinjale se ajo është e gatshme ta bëjë këtë – të paktën në kushte të caktuara. Pyetja e rëndësishme është se a janë të pranueshme për Kosovën këto kushte.

Përveç kësaj, do të jetë një numër i çështjeve konkrete praktike që do të preken në këtë marrëdhënie, e cila, ka kohë që është e ngrirë. Por, çështja e njohjes nuk mund të tejkalohet, ajo duhet të trajtohet sa më parë që është e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët disa kushte të caktuara. A është veriu i Kosovës një nga këto kushte?

MARKO PRELEC

Sipas të gjitha gjasave, kjo do të jetë një nga temat e bisedimeve. Edhe pse po i afrohet fundi kohës kur Serbia mund të insistojë se nuk do të bisedojë për njohjen e Kosovës, nëse është me të vërtetë e interesuar ta zgjidhë këtë problem, Serbia do të jetë e detyruar që shumë shpejt t’i vë letrat e saj në tavolinë.

Duket se Serbia është shumë e interesuar për një lloj kompromisi për statusin e veriut. Preferenca është që të ruhet veriu i Kosovës, të shkëputet nga Kosova dhe të futet nën Serbi.

Shikuar nga këndvështrimi serb, kjo nuk do të ishte ndarje nga Kosova, por do të ishte thjesht njohja e pjesës së mbetur të Kosovës, prej së cilës hiqet dorë nga ajo që konsiderohet territor i tyre, ndërsa merret ajo pjesë e vogël që gjithashtu konsiderohet territor i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, Prishtina i ka kundërshtuar disa herë idetë që mund të çonin në ndarjen e veriut. A mund të arrihet një marrëveshje për veriun pa i ndryshuar qëllimet, sikurse të Serbisë, ashtu dhe të Kosovës?

MARKO PRELEC

Është mjaft e qartë që asnjë qeveri në Prishtinë nuk dëshiron të paramendojë të heqë dorë nga veriu. Edhe në këmbim të njohjes nga Serbia, (veriu) dëshirohet të kompensohet në njëfarë mënyre, gjë që çon në bisedime për shkëmbim territoresh, ku veriu do të ishte i Serbisë, ndërsa pjesë të Serbisë - Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare, mund t’i jepej Kosovës.

Kjo është thjesht një çështje e diskutueshme, por mendoj se është rritur kjo çështje, sepse të dy territoret janë të vogla, janë etnikisht homogjene. Çështja kryesore nuk janë këto territore, por është njohja reciproke si shtete sovrane në mes të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të përqendrohemi në qëllimin përfundimtar, e jo në hapat që duhet të ndërmerren për të arritur atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a nuk do të ndikonin ide të këtilla te shtetet e tjera të rajonit si Bosnja?

MARKO PRELEC

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka pasur shumë punë në Bosnjë dhe ne nuk kemi parë ende asnjë indikacion se një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, përfshirë ndonjë që ka të bëjë me këmbim territoresh në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, do të kishte ndonjë ndikim të keq në Bosnjë e Hercegovinë.

Në të kundërtën, ka arsye të shpresojmë që ky shembull i dy palëve që kanë pasur një konflikt të gjatë dhe kanë arritur një kompromis, të shërbejë si shembull dhe t’i ndihmojë liderët e partive dhe të komuniteteve në Bosnjë, të cilët gjithashtu kanë pasur mosmarrëveshje mes vete me vite të tëra duke kundërshtuar të arrijnë kompromis për një varg çështjesh themelore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG