Ndërlidhjet

logo-print

Sejdiu: Nuk ka bisedime për veriun


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu

Ndryshimi i rezolutës nuk u bë në kurriz të Kosovës, tha presidenti Fatmir Sejdiu, pas kthimit nga Nju-Jorku.


Veriu i Kosovës nuk do të jetë temë e veçantë e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, deklaroi të shtunën presidenti Fatmir Sejdiu.

Këto komente, Sejdiu i bëri pas kthimit nga Nju-Jorku, ku kishte përcjellë nga afër miratimin e rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Sejdiu tha se kjo rezolutë legjitimon mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe se, sipas tij, me miratimin e saj, shumë vende tash do ta kenë më lehtë t’i heqin dilemat në lidhje me njohjen e Kosovës së pavarur.

Ndërkaq, duke iu referuar bisedimeve të ardhshme me Serbinë, Sejdiu theksoi se ato në asnjë formë nuk do të prekin çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Asambleja e Përgjithshme

Ai përjashtoi çdo mundësi që me Serbinë një prej temave të jetë edhe çështja e veriut të Kosovës.

“Jo, absolutisht nuk do të jetë çështja e veriut si çështje separate. Do të jetë çështja e veprimeve të rëndësishme që duhet të kenë institucionet e Kosovës”.

“Unë e them se ajo që është esenciale, gjithmonë është se asnjëherë nuk do të ketë bisedime për çështjen e sovranitetit dhe të pavarësisë së vendin, për çështjen e integritetit të vendit, për çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës, por do të jenë tema që janë në interes të bashkëpunimit”
, tha Sejdiu.

Kosova mbetet e përkushtuar që zgjidhjet për veriun të jenë në harmoni me Pakon e Ahtisarit, ku kërkohet që edhe Serbia ta ketë rolin e vet, tha Sejdiu, duke e përjashtuar mundësinë e opsioneve Ahtisari Plus, për autonomi apo status special për veriun e Kosovës.

Presidenti Sejdiu po ashtu, bëri të ditur se pala kosovare ka marrë garancitë e vendeve të Kuintit dhe vendeve tjera perëndimore se kompromiset e Serbisë me BE-në për ndryshimin e tekstit të rezolutës, nuk kanë të bëjnë me Kosovën.

“Nuk ka asnjë premtim dhe të mos mbetet askush në idenë apo spekulimet që mund të ketë diçka tjetër që lidhet me atë që s’është apo që është publikuar realisht. Ajo që është biseduar, sepse kemi pasur një takim jashtëzakonisht përmbajtjesor me vendet anëtare të Kuintit, të BE-së dhe SHBA-së, është se lufta jonë e përbashkët ka qenë se si të bëhen numrat dhe besoj se ka pasur një garanci të plotë. Serbia e ka ditur shumë mirë se do të mundet në Asamblenë e Përgjithshme dhe në atë rast është tërhequr dokumenti si i tillë”,
theksoi Sejdiu.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG