Ndërlidhjet

logo-print

BE: Palët të vendosin për dialogun

  • Augustin Palokaj

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.Bruksel,11 shtator 2010

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.Bruksel,11 shtator 2010

Pres që dialogu të jetë i mirëfilltë, pa ‘valle mediale’, por me përmbajtje të duhur, tha Ketrin Eshton, shefe e diplomacisë evropiane.


Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë përfunduar të shtunën në Bruksel takimin e tyre dyditësh joformal, në të cilin edhe një herë kanë përshëndetur rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Kosovën, të dorëzuar bashkërisht nga Serbia dhe Bashkimi Evropian.

Duke folur për këtë, të shtunën Ketrin Eshton, përfaqësuese e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se dorëzimi i kësaj rezolute nga ana e Serbisë me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe e përshëndetur edhe nga Kosova, është një sukses i përbashkët i të gjitha palëve, i punës sonë të përbashkët në BE, por para së gjithash është sukses i vetë Serbisë.

Ajo ka shtuar se tash jemi në kontakt me palët që të shohim se kur, ku dhe në cilin nivel do ta nisin dialogun. Ne kemi ofruar të jemi mikpritës të këtij dialogu këtu në Bruksel, por u takon atyre të vendosin, ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Eshtona ka theksuar se pret që dialogu të jetë i mirëfilltë, pa, siç është shprehur ajo, ‘valle mediale’, por me përmbajtje të duhur.

Shumë ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian, por edhe të vendeve kandidate, e kanë quajtur marrëveshjen e arritur me Beogradin, për të cilën kanë qenë gjithmonë në dijeni edhe pala kosovare, si një sukses të madh të politikës së përbashkët të jashtëm të BE-së.


Këtë e ka thënë edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle.

Ministrat e Jashtëm janë shprehur se tash Bashkimi Evropian duhet t’i dëshmojë në një mënyrë Serbisë se edhe BE-ja lëviz kur Serbia bën atë që pritet nga ajo.

Nga burime të BE-së mësohet se deri në fund të vitit do të mund të shqyrtohej kërkesa e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Disa ministra janë shprehur se tash me miratimin e rezolutës në Asamblenë e OKB-së, është përmbyllur një fazë dhe duhet të nisë faza e re – ajo e dialogut të mirëfilltë mes palëve.

Gjatë ditës së shtunë ministrat e Bashkimit Evropian janë takuar edhe me kolegët e tyre me vendet kandidate, si Kroacia, Turqia, Maqedonia dhe Islanda.

Edhe në këtë takim është se perspektiva e anëtarësimit në BE është një motiv i madh për reformat në vendet e rajonit të Ballkanit dhe në një mënyrë të duhur e bën bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit si një prioritet.

Suksesi i Kroacisë në negociatat për anëtarësim do të përdoret si një shembull edhe për vendet tjera, është shprehur ministri i Jashtëm i Gjermanisë Vestervelle.

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ndonëse nuk shkon me dinamikën e pritur nga vetë kandidatët, megjithatë konsiderohet si ndër politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG