Ndërlidhjet

Mitrovicë: Incidente në lumin Ibër, disa të plagosur


Policia e Kosovës ka konfirmuar se mbrëmë vonë pas takimit të basketbollit ndërmjet Turqisë dhe Serbisë në urën e lumit Ibër në Mitrovicë kanë ndodhur incidente në të cilat kanë marrë pjesë disa qindra persona nga të dy anët e urës.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka thënë se pjesëmarrësit e incidenteve nga të dy anët kanë hedhur gurë ndaj njëri tjetrit.
“Nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë ndërmjet pjesëmarrësve të incidentit. Njësitet policore dhe ato të EULEX-it, kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë lejuar përshkallëzim të incidenteve”, ka thënë Hoti dhe ka shtuar se “situata tash është nën kontroll”.
Agjencitë e lajmeve thonë se incidentet kanë shpërthyer pasi që shqiptarët kishin dalur për të festuar fitoren e Turqisë ndaj Serbisë.
Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Lindal, ka deklaruar se një polic i Francës është lënduar, pasi që është goditur në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetë.
Zyrtarët e Qendrës spitalore që ndodhet në pjesën veriore të qytetit u kanë thënë mediave serbe se në këto incidente janë lënduar katër persona, prej të cilëve njëri është në gjendje kritike. Mediat në Beograd thonë se të lënduarit janë pjestarë të nacionalitetit serbë. Ende nuk dihet nëse të lënduar ka edhe në mesin e shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG