Ndërlidhjet

Rezoluta përçan serbët


Serbët në veri të Kosovës (Foto nga arkivi)
Serbët në veri të Kosovës (Foto nga arkivi)
Miratimi i rezolutës së fundit për Kosovën nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka ngjallur reagime të ndryshme të politikanëve serbë të pjesës veriore dhe të asaj qendrore të Kosovës, cilët kanë dallime të skajshme në vlerësime.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, miratimin e kësaj rezolute e ka quajtur debakël politik të shtetit të Serbisë.

Marko Jakshiq

“Mendoj se i ashtuquajturi kompromis, të cilin e ka bërë Serbia me Bashkimin Evropian, është një debakël politik, para së gjithash i politikës së Serbisë. Këtë e them duke pasur parasysh, se gjatë kampanjës ose lotimit, në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, ata kanë lobuar për një rezolutë tjetër, atë të mëhershmen, dhe mjaft vende të botës i kanë vënë në pozicion të pakëndshëm
”.

“Ndërkaq, në Asamblenë e Përgjithshme doli të jetë një rezolutë tjetër. Serbia në këtë rast është treguar si një partner joserioz. Në anën tjetër, si duket, kryetari i Serbisë është frikësuar dhe tmerruar nga kërcënimet që ka marrë nga disa vende të Bashkimit Evropian dhe ka pranuar kompromisin, i cili më shumë i konvenon palës shqiptare sesa Serbisë
”, thotë Jakshiq.

Më tutje, Jakshiq iu jep të drejtë përfaqësuesve të Këshillit Nacional Serb, të cilët kompromisin serb me vendet evropiane për rezolutën, dy ditë më parë e kanë quajtur tradhti.

Në anën tjetër, me vlerësimet e tilla nuk pajtohet Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica. Rezolutën për Kosovën, e cila ishte kompromis i Serbisë me vendet e Bashkimit evropian, ajo e vlerëson me rëndësi së veçantë, para së gjithash për Serbinë.

“Kemi ardhur në pozicion, në të cilin organet shtetërore kanë hyrë në marrëdhënie partneriteti me Bashkimin Evropian dhe kjo për ne është mjaft e rëndësishme”.


Rada Trajkoviq

“Në një mënyrë, ato i afirmojnë marrëdhëniet e mira ose të bashkëpunimit me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, të cilat kryesisht kanë qenë më të ekspozuarat para Bashkimit Evropian, në kuptimin e ndërmjetësimit në mes Beogradit dhe Kombeve të Bashkuara për çështjen e rezolutës. Këtë e konsideroj si jë përparim të madh për të gjithë. Serbia me këtë është forcuar”,
vlerëson Trajkoviq.

Sipas Trajkoviqit, pozicioni më i forcuar i Serbisë do të reflektojë edhe për një ardhmëri më të mirë të serbëve në Kosovë.


Ndryshe, përfaqësuesit e Këshillit Nacional Serb, dy ditë më parë kanë kërkuar që Federatës Ruse t’i mundësohet hapja e një konsullate në veri Kosovës.

Jakshiq thotë se ekziston një numër i madh i qytetarëve serbë në veri të Kosovës, të cilët mendojnë se Rusia i mbron interesat e Serbisë më mirë sesa vetë Republika e Serbisë.

“Një numër i madh i qytetarëve serbë nga Kosova, para së gjithash, për këtë arsye, në një mënyrë kanë kërkuar shtetësinë ruse, duke llogaritur që Rusia do t’i mbrojë shumë më mirë interesat serbe në hapësirën e Kosovës, sesa që po e bën këtë Boris Tadiqi”.

“Prandaj, unë thjesht mendoj se në këtë kuptim, serbët kërkojnë dhe insistojnë, në mënyrën e tyre, që Rusia të jetë e inkuadruar më shumë këtu, sepse kjo iu jep gjasa më të mëdha që të mbijetojnë në këtë hapësirë, duke pasur parasysh që vendet perëndimore po e copëtojnë Serbinë”,
sqaron Jakshiq.

Por, Rada Trajkoviq, ndryshe i shpjegon dhe vlerëson kërkesat e disa serbëve të pjesës veriore të Kosovës.

“Ajo që të gjithë e dinë dhe që është fakt historik, është se Serbia gjithmonë ka qenë e ndarë në mes të asaj që ka qenë orientim drejt lindjes ose perëndimit. Kjo çështje është reflektuar gjatë shekujve, në mbretëri dhe në dinasti”.

“Edhe sot ekzistojnë këto orientime drejt lindjes dhe drejt perëndimit. Ju keni dëgjuar se liderët nga veriu i Kosovës kanë thënë se do të kërkojnë edhe shtetësinë e Rusisë. Kjo përafërsisht, është më tepër luftë për ndikim gjeostrategjik të Rusisë, sesa që është luftë për Kosovën dhe Serbinë. Por, këtë gjë ata ende nuk e kuptojnë në masë të duhur”
, përfundon Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG