Ndërlidhjet

Ndarja e pasurisë mes Kosovës dhe Serbisë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ndarja e pasurisë në mes Kosovë dhe Serbisë duhet të realizohet përmes një konference sukcesioni, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, tash, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova ka të drejtë në procesin e ndarjes së pasurisë me ish-Jugosllavinë.

Eksperti Muhamet Sadiku, thotë se për shkak të problemeve politike që ka Kosova më Serbinë, duhet të jetë faktori ndërkombëtar ai që e detyron Serbinë që të mbajë një konferencë të tillë.

Megjithatë, Sadiku vlerëson se ky proces është i vështirë, i komplikuar dhe tejet i gjatë:

Muhamet Sadiku

“Ky proces gjithsesi duhet të ndodhë në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse në procesin e sukcesionit mes ish-Jugosllavisë, hisen e Kosovës, e cila duhet t’i takonte Kosovës gjatë këtij procesi, në mënyrë jolegale e ka bartur Serbia".

"Prandaj, Kosova duhet të ketë një sukcesion dhe ndarje të pasurisë direkte me Republikën e Serbisë”.



Mehdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se miratimi i rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, do ta lehtësojë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kështu që gjatë këtyre bisedimeve, sipas tij, çështja e sukcesionit duhet të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës.
Kosova patjetër duhet të marrë pjesë në procesin e sukcesionit, jo si tërësi me ish - Republikat, por me shtetin e Serbisë...

Kosova patjetër duhet të marrë pjesë në procesin e sukcesionit, jo si tërësi me ish-Republikat, por me shtetin e Serbisë, i cili edhe ka marrë për obligim trashëgiminë e ish-Jugosllavisë”.

“Me rastin e ndarjes së pasurisë, aktives dhe pasives, të pasurisë së ish-Jugosllavisë, shtetit trashëgimtar të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe Malit të Zi, iu është ndarë përafërsisht 40 për qind, respektivisht 39.5 për qind e pasurisë”
, shpjegon Bektashi.

Edhe Muhamet Sadiku pohon se gjatë bisedimeve mes dy palëve, Kosova duhet të insistojë për këtë proces.

Madje, Sadiku thekson se institucionet e Republikës së Kosovës, duhet sa më shpejtë të bëjnë një kërkesë për të gjitha dëmshpërblimet e luftës, duke përfshirë edhe vrasjen e qytetarëve kosovarë.

“Objekt i bisedave duhet të jenë kompanitë e Kosovës që kanë mbetur jashtë Kosovës, pastaj rezervat e arit, asetet e tjera të financuara nga buxheti i atëhershëm i ish-Jugosllavisë, në të cilat asete kishte participuar edhe buxheti i Kosovës”.

“Këtu kam parasysh edhe fondet e ndryshme, të cilat i ka rrëmbyer Serbia dhe i ka bartur në Serbi, siç është Fondi Pensional”,
thekson Sadiku.

Ndryshe, zyrtarë qeveritarë, tashmë kanë deklaruar se ky problem do të gjejë zgjidhje në të ardhmen kur këto shtete do të kenë njohje reciproke.

Tema e sukcesionit, dëmeve të luftës, kanë qenë të prezantuara edhe në Vjenë në kohën e bisedimeve për statusin. Kjo çështje, ndërkaq, është pranuar në dokumentin e presidentit Marti Ahtisari, që Kosova të ketë të drejtë të marrë pjesë në ndarjen e kësaj pasurie.
XS
SM
MD
LG