Ndërlidhjet

A ka Prishtina agjendë bisedimesh?


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë e saj për bisedime teknike me Serbinë, duke respektuar parimin e bisedimeve ndërmjet dy shteteve të barabarta dhe për tema e çështje të interesit reciprok. Njëherësh, Qeveria e ka bërë të qartë pozicionin e saj se e preferon Bashkimin Evropian si ndërmjetësues në këto bisedime dhe jo Kombet e Bashkuara.

Duke iu referuar rezolutës së fundit për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Hashim Thaçi tha se ajo ka përcaktuar vijat e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, përfshirë dhe Serbinë.

“Edhe kjo rezolutë përcakton se çdo bashkëpunim me Serbinë do të ndërtohet vetëm si dy shtete të pavarura, sovrane dhe në baza të barabarta, në shërbim të ndërtimit të raporteve të reja ndërfqinjësore dhe ndërshtetërore”,
tha Thaçi.

Përderisa edhe spektri politik nga opozita kryesisht i ka vlerësuar përfundimet e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme për Kosovën, përfshirë edhe kërkesën për bisedime me Serbinë, për lëvizjen Vetëvendosje parulla “Jo negociata, vetëvendosje” mbetet ende aktuale.

Aktivistë të kësaj lëvizjeje shënuan këtë mbishkrim në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, te ish-pallati Rilindja.

Foto nga arkivi
Në emër të Vetëvendosjes, aktivistja Drenushë Xhemajli tha se, ngjashëm si para pesë vjetësh, kur ishte negociuar me Serbinë, edhe këto bisedime cenojnë sovranitetin e një shteti dhe u shpreh kundër tyre.

“Janë paralajmëruar negociata të reja, me ç’rast shihet se kompromiset me Serbinë nuk kanë përfunduar”.

“Kosova ende po vuan nga politikanë, që për interesa personale, janë të gatshëm ta vënë në pazar vendin tonë me Serbinë - shtet që nuk na e ka pranuar ekzistencën, nuk ka kërkuar falje për krimet që na i ka bërë e nuk ka ndërmend t’i ndalë përpjekjet për pushtim të serishëm”,
tha Xhemajli.

Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Prishtina zyrtare ende nuk i ka të sqaruara detajet, agjendën si dhe afatin e formën e këtyre bisedimeve. Në emër të Qeverisë, Krasniqi tha se Bashkimi Evropian ka ofruar pozicionimin e vet në këtë drejtim, kurse përjashtoi mundësinë që OKB-ja të marrë rolin e ndërmjetësit.

“OKB-ja është një organizatë relevante dhe Kosova ka për qëllim të anëtarësohet në këtë organizatë. Por, në bashkëpunimin ndërshtetëror, bilateral ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mendojmë se vendin e veçantë e ka Bashkimi Evropian, edhe për shkak të arsyes se ne e kemi qëllim strategjik integrimin në këtë familje”, tha Krasniqi.

Në bazë të paralajmërimeve, bisedimet Prishtinë – Beograd do të kenë theksin në çështjet e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në fushat e sigurisë, lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit të mallrave, si dhe në fushat e interesit të përbashkët që kanë të bëjnë me integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Ndërsa analistët dhe mediat në shumë raste kanë paralajmëruar edhe mundësinë e bisedimeve për pozitën e komunitetit serb, sidomos në veri të Kosovës, një mundësi e tillë tashmë është hedhur poshtë nga krerët e institucioneve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG