Ndërlidhjet

Gatishmëria e Brukselit zyrtar për të ndërmjetësuar dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, siç parashihet me rezolutën e fundit për Kosovën të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nga ekspertët për integrime evropiane vlerësohet të jetë një ndihmesë për krijimin e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Eksperti Shenoll Muharremi tha se rezoluta e miratuar, teksti i së cilës u modifikua pas ndikimit të Bashkimit Evropian, ka shkaktuar një zbutje në qëndrimet karshi Kosovës të pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur atë.

Ai tha se nuk mund të pritet njohja e menjëhershme nga këto shtete, porse, megjithatë, janë rritur gjasat për vënien e marrëdhënieve kontraktuale të vendit me BE-në.

“Me rëndësi është që tash të kemi një platformë të mirë... Shihet që ka vullnet politik edhe nga pesëshja që të gjenden modalitete që të integrohet Kosova edhe legalisht në procesin e integrimit evropian”.

“Unë mendoj se është një lehtësim, për shkak se sot janë gjasat më të mëdha sesa më herët që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuale, mu për faktin që këto pesë vende nuk do të bëjnë shumë probleme si kanë bërë më herët”,
tha Muharremi.

Pavarësisht ndryshimit të aspektit politik në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, sfidë e vazhdueshme për vendin, sipas Muharremit, mbetet përmbushja e kritereve teknike drejt integrimeve evropiane.

“Përderisa perspektiva politike po hapet, teknikisht mendoj se nuk kemi arritur përparime të mëdha”.

“Duhet të japim sinjale shumë të qarta sidomos kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në çështjet e tjera që parashihen nga rekomandimet e BE-së për Kosovën”,
u shpreh Muharremi, për të theksuar se Kosova vazhdon që, ndër të tjera, të përballet me një mungesë të ekspertëve për harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së.

Kuvendi i Kosovës
Mirëpo, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Zylfie Hundozi, tha se pavarësisht mungesës së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të hartojë ligje sipas standardeve evropiane.

Fakti që Kosova nuk ka raporte kontraktuale me Brukselin zyrtar, sipas saj, nuk përbën ndonjë problem për punën e legjislativit të Kosovës.

“Nuk e ka penguar, sepse kemi pasur përkrahjen e Komisionit Evropian, gjegjësisht Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian. Nëpërmjet projekteve që ata i kanë ofruar Kosovës, kemi përfituar edhe ne - është AEX-i, kemi marrë një ekspert për komision, vizita studimore, takime me komisione homologe të parlamenteve të tjera... Do të thotë, ne jemi përkrahur nga Komisioni Evropian”,
theksoi Hundozi.

Puna e institucioneve kosovare lidhur me reformat drejt BE-së do të vlerësohet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Deri më 1 tetor do të merren parasysh të arriturat e institucioneve kosovare në fushat e caktuara në këtë raport, i cili planifikohet të publikohet në kuadër të së ashtuquajturës “Paketë e Zgjerimit”, më 10 nëntor.

Mirëpo, krijimi dhe miratimi i ligjeve sipas standardeve të BE-së duket se nuk është veprim që kënaq mekanizmat e BE-së.

Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviq, tha se edhe zbatimi i këtyre ligjeve është i rëndësishëm për vendet që synojnë të integrohen në BE.

“Raporti i Progresit nuk është një plotësim i katrorëve, por ka të bëjë më shumë me cilësinë e ndryshimeve që ndodhin. Ne nuk jemi të interesuar në numrin e ligjeve të miratuara, por në cilësinë e tyre... pra që ato të jenë në përputhje me standardet evropiane”.

“Ne jemi po ashtu të interesuar në zbatimin e këtyre ligjeve, në mënyrë që ndryshimet të ndodhin në fakt, jo vetëm në letër, por edhe në realitet”,
tha Pavloviq.
XS
SM
MD
LG