Ndërlidhjet

Tiranë: Ndryshime në Qeveri


Tiranë
Tiranë
Qeveria Berisha pëson ndryshimin e parë që prej formimit të saj në shtator të vitit 2009.

Lëvizja Socialiste për Integrim, aleate kryesore e Partisë Demokratike në qeverisje, vendos rikonfigurimin e përfaqësimit të saj në kabinet, duke larguar përfundimisht Dritan Priftin, i cili deri tani mbajti detyrën e ministrit të Ekonomisë.

Në këtë pozicion, LSI propozon Ilir Metën, i cili lë detyrën e ministrit të Jashtëm, por do të vijojë të mbajë dhe pozicionin e zëvendëskryeministrit në kabinetin Berisha.

LSI vendosi të mbajë të pandryshuar përfaqësimin e saj në Ministrinë e Shëndetësisë me Petrit Vasilin.

Kryeministri Berisha tha se respekton këtë vendim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke bërë të ditur se ky ndryshim i është kërkuar rreth gjashtë muaj më parë nga Ilir Meta.

“Shumë muaj më parë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, më ka shprehur shqetësimin e tij serioz se të qenët ministër i Jashtëm, në një mënyrë nuk i jepte mundësi atij t’i mbante lidhjet e domosdoshme me strukturat dhe bazën e partisë. Gjashtë muaj më parë, zoti Meta kishte shtruar kërkesën që të konsiderohet largimi i tij nga detyra e ministrit të Jashtëm”, tha Berisha.

Meta dha të njëjtat arsye si kryeministri Berisha për largim nga pozicioni i ministrit të Jashtëm, detyrë që, siç tha, i kishte kufizuar kohën e qëndrimit me partinë.

Meta i cilësoi spekulime komentet kryesisht mediatike për marrëdhënie jo të mira prej disa muajsh me Dritan Priftin.

“Unë nuk dua të merrem me spekulime. Por, nuk është tashmë ndonjë sekret për të theksuar se kishte një lloj konflikti midis detyrës sime si ministër i Jashtëm dhe detyrës sime si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Statistikat më të fundit, tashmë në bërjen e plotë të një viti kalendarik në këtë detyrë, tregojnë se më shumë se 100 ditë unë kam qenë jashtë vendit”,
tha Meta.

Por, ndryshimet në Qeveri që vijnë nga LSI, nuk duket se do të prekin partinë kryesore, atë demokratike – të paktën këtë deklaroi kryeministri Berisha.

“Partia Demokratike nuk ka asnjë motiv për të bërë ndryshime, përveç atyre që propozon LSI”
, deklaroi Berisha.
XS
SM
MD
LG