Ndërlidhjet

logo-print

Imami thotë se është keqkuptuar

  • RFE /RL

Imami Feisal Abdul Rauf

Imami Feisal Abdul Rauf

Imami, që qëndron prapa projektit kontrovers për xhaminë e qendrën islamike dhe xhaminë afër vendit ku u bënë sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Nju Jork, ka thënë se opinioni i ka keqkuptuar planet e tij.

Duke folur në Këshillin për Politikë të Jashtme në Nju Jork, imami Feisal Abdul Rauf është përpjekur t’i ulë tensionet rreth këtij projekti, duke thënë se po ta kishte ditur se propozimi i tij do të politizohet kaq shumë, ai do të kishte propozuar që kjo qendër islamike të ngrihej diku tjetër.

Imami Feisal Abdul Rauf, që është qytetar amerikan dhe që predikimet i ka bërë në Nju Jork që nga viti 1983, është zotuar se qendra islamike do të jetë pikëtakim për të gjitha besimet dhe jo vetëm për Islamin.

“Kjo qendër do të jetë vend për të gjitha besimet që të bashkohen si partnerë dhe aksionarë me besim të ndërsjellë. Ajo do t’i sjellë nder qytetit të Nju Jorkut, myslimanëve amerikanë në gjithë vendin dhe amerikanëve në gjithë botën”, ka thënë imami Feisal.

Familjarët e viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit me këmbëngulje kanë kundërshtuar projektin, sepse ata besojnë se xhamia afër pozicionit ku janë bërë sulmet, do të ofendonte përkujtimin për viktimat.

Por, imami Feisal ka thënë se qëllimi i qendrës është keqkuptuar. Ai ka akuzuar forcat radikale politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shfrytëzim të kontradiktave për të çuar përpara agjendat e tyre.

“Më vjen keq që disa i kanë keqkuptuar synimet tona. Jam thellësisht i shqetësuar që në këtë sezon të nxehtë politik, disa kanë eksploatuar këtë çështje për agjendat e tyre. Dhe, jam thellësisht i zhgënjyer që aq shumë argumente janë bazuar mbi keqinformimet dhe stereotipat e dëmshëm”, ka thënë imami.

Nju Jork
Pavarësisht mbështetjes nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, që tash së voni ka deklaruar se “Amerika nuk është në luftë me Islamin”, por edhe nga zyrtarë tjerë të lartë, anketimet e fundit sinjalizojnë se 60 për qind e banorëve të Nju Jorkut kundërshtojnë këtë projekt.

Megjithatë, banorët e Nju Jorkut thonë se do të miratonin ndërtimin e qendrës islamike, 10 blloqe larg pozicionit ku janë bërë sulmet e 11 Shtatorit.

Imami Feisal Abdul Rauf, mospajtimet rreth kësaj çështjeje i ka paraqitur si mospajtime ndërmjet ekstremistëve dhe besimtarëve të moderuar.

“Ekstremistët radikalë do të donin që ne t’u besonim teorive për betejën botërore ndërmjet myslimanëve dhe jomyslimanëve. Dhe, disa intelektualë dhe analistë e kanë çuar përpara këtë ide. Kjo ide është e gabuar”.

“Beteja reale që ne duhet ta fitojmë bashkërisht, nuk është ajo ndërmjet myslimanëve dhe jomyslimanëve, por ndërmjet të moderuarve nga të gjitha besimet, kundër ekstremistëve nga të gjitha besimet”,
ka thënë imami Feisal Abdul Rauf.

Ai ka përsëritur besimin e tij se zërat e myslimanëve të moderuar në Amerikë nuk duhet përzier me zërat e ekstremistëve. (m.k.)
XS
SM
MD
LG