Ndërlidhjet

KDI: Nuk sanksionohet deklarimi i rrejshëm i pasurisë


Ligji për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë nuk po zbatohet ashtu siç ishte deklaruar nga ligjvënësit kosovarë, thonë përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Me këtë ligj qe thënë se është shtuar edhe një instrument i fuqishëm për luftën kundër korrupsionit.

Duke prezantuar një analizë mbi zbatimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, Merita Mustafa tha se ligji nuk është i efektshëm për shkak të dy problemeve themelore.

“Një, për shkak se legjislacioni është i mangët, pra më shumë ka një karakter preventivë dhe jo represiv, që nënkupton se nuk sanksionon zyrtarët e lartë, të cilët e deklarojnë pasurinë në mënyrë të rrejshme. Pra, ata nuk mund të ndiqen penalisht”.

“E dyta është se nuk mund të zbatohet si duhet, për shkak se agjencia nuk i posedon resurset e mjaftueshme njerëzore për të zbatuar këtë ligj”,
tha Mustafa.

Në analizën e publikuar nga KDI-ja është pasqyruar rasti i zyrtarëve, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre dhe prejardhjen e saj. Aty vërehet se janë 68 zyrtarë që nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe se rastet e tyre janë dërguar në gjykata për t’u proceduar më tutje me gjoba administrative.

Zonja Mustafa përmendi shkurtimisht fakte që dëshmojnë se ligji nuk jep rezultate në luftën kundër korrupsionit.

“Faktet mund të ndahen në tri kategori. Kategoria e parë janë zyrtarët, të cilët e kanë injoruar plotësisht këtë ligj. Kategoria e dytë janë zyrtarët, të cilët e kanë bërë një deklarim sipërfaqësor. Në krye të kësaj liste është edhe presidenti i vendit, ku vërehet një qasje mjaft joserioze si në informacionet e ofruara, po ashtu edhe në mënyrën e plotësimit”.

“Pjesë e një deklarimi jo të drejtë janë edhe zyrtarët e tjerë, duke filluar nga kryeministri, shumica e deputetëve. Në grupin e tretë bëjnë pjesë disa zyrtarë, të cilët drejt dhe saktë kanë deklaruar pasurinë e tyre”,
sqaroi Mustafa.

Nga ana tjetër, Jetullah Aliu, nga Agjencia Kosovare Kundër-Korrupsionit, ripërsëriti kërkesën që deklarimi i rrejshëm të caktohet si vepër penale.

Ai tha se është shumë herët të thuhet se Ligji për deklarimin e pasurisë nuk po jep rezultatet e duhura.

“Është një kohë jo shumë e gjatë dhe nuk mund të them, për kohë kaq të shkurtër, se ligji ka apo jo rezultate. Mirëpo, unë mendoj se është një hap pozitiv, është një progres që është bërë përmes këtij deklarimi dhe publikimi të formularëve - gjë që lë të kuptohet se ka mundësi përmirësimi edhe në të ardhmen”,
tha Aliu.

Si përfundim, në analizën e KDI-së thuhet se nuk ka ndonjë indikacion që tregon se ky ligj do t’i shërbejë dikujt për ta luftuar korrupsionin. I gjithë procesi i hartimit dhe implementimit deri tash ka qenë një përpjekje për të krijuar një perceptim të rrejshëm dhe ky ligj e zbulon të vërtetën mbi pasurinë e zyrtarëve, thuhet në raportin e KDI-së.

Mirëpo, njëri nga anëtarët e Komisionit për hartimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë, Armend Zemaj, hodhi poshtë deklaratat se ligji nuk po zbatohet dhe nuk është duke sjellë rezultate.

“Me përgjegjësi të plotë e them se ligji është preventiv, ligji është parandalues... Nuk është prej ligjeve më perfektë, por nuk është as prej ligjeve më të dobëta”, u shpreh Zemaj.

Edhe përfaqësuesit e USAID-it kanë deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në forcimin e legjislacionit. Danielle Spinard tha se eksperienca tregon që duhet bërë shumë më shumë në implementimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë. Ajo pohoi se “zyrtarët duhet ta respektojnë dhe ta dinë rëndësinë e ligjit”.
XS
SM
MD
LG