Ndërlidhjet

Opozita: Jo bisedimeve pa agjendë


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë opozitare kundërshtojnë çdo lloj dialogu me Serbinë, përderisa agjenda e bisedimeve të mos miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Opozita thotë se përveç gatishmërisë së shprehur të Qeverisë dhe krerëve të institucioneve për t’i nisur bisedimet me Beogradin, nuk i ka të qarta detajet e këtyre bisedimeve dhe kërkon që Kuvendi t’i përcaktojë temat, për të cilat Kosova mund të bisedojë dhe temat, të cilat nuk mund të hyjnë në kuadër të procesit të ri të bisedimeve me Beogradin.

Mirëpo, këtyre deklaratave iu kundërpërgjigj sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha se bëhet fjalë për bisedime teknike dhe jo politike, andaj, sipas tij, Kuvendi nuk ka përse të marrë rolin kryesor në këtë proces.

Jakup Krasniqi
“Kuvendi do të kishte rol sikur të ishin bisedime politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilat janë mbyllur në Vjenë, e akoma më mirë janë mbyllur me shpalljen e pavarësisë”.

“Këto bisedime janë mbyllur edhe me opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, këto bisedime janë mbyllur edhe me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme dhe nuk e di ku realisht po i shohin këto bisedime si politike”,
tha Krasniqi.

Ndryshe nga Krasniqi mendojnë deputetët nga radhët e opozitës. Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, tha se nuk mund të ketë bisedime teknike, nëse nuk ka paraprakisht një marrëveshje politike ndërmjet dy shteteve.

Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, ky vend ka për qëllim të diskutojë rregullimin e brendshëm të Kosovës dhe territore të caktuara dhe nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, tha Makolli.
Me Serbinë nuk kemi marrëveshje politike dhe prandaj nuk ke çfarë të bisedosh teknikisht, sepse Serbia nuk të njeh...

“Madje, as që do të duhej ta merrte dikush guximin për të hyrë në bisedime me Serbinë, pa u vendosur kjo paraprakisht nga Kuvendi i Kosovës”.

“Bisedat teknike vijnë gjithmonë si rezultat i marrëveshjeve politike. Ne me Serbinë nuk kemi marrëveshje politike dhe prandaj nuk ke çfarë të bisedosh teknikisht, sepse Serbia nuk të njeh. Ajo synimet i ka te territori”,
tha Makolli.

Ngjashëm me AKR-në mendon edhe Lidhja Demokratike e Dardanisë. Deputeti i kësaj partie, Naser Rugova, tha se nuk do të mbështetet asnjë formë e dialogut me Serbinë pa u sqaruar temat e bisedimeve dhe pa u miratuar agjenda në Kuvendin e Kosovës.
LDD-ja nuk do të mbështesë në asnjë formë dialogun, çfarëdo qoftë ai, teknik apo politik, sepse ende nuk është definuar agjenda...

“LDD-ja nuk do të mbështesë në asnjë formë dialogun, çfarëdo qoftë ai, teknik apo politik, sepse ende nuk është definuar agjenda dhe askush nuk e di këtë pa kaluar nëpër Kuvendin e Republikës së Kosovës, që është institucioni më i lartë legjislativ i vendit dhe që, tek e fundit, shpreh vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Rugova.

Edhe subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar dje që Kuvendi ta ketë rolin kryesor në përcaktimin e agjendës së bisedimeve me Serbinë.

Mirëpo, siç tha sot kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, për një rol të tillë nuk ka nevojë, pasi që çështjet që do të diskutohen me Serbinë, sipas tij, janë çështje teknike, të cilat në një masë parashihen edhe me rezolutën e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Lexoni edhe këtë:
A ka Prishtina agjendë bisedimesh?
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG