Ndërlidhjet

Ç’është e (pa)pranueshme për dialogun Kosovë-Serbi?


Ende nuk mund të flitet për ndonjë agjendë të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kurdo që të ketë tentime që të niset dialogu eventual, është më se e qartë se pala kosovare nuk do të nisë kurrfarë bisedimesh që kanë të bëjnë me çështjet e brendshme të vendit, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se të vetmet çështje që mund të bisedohen me Beogradin, janë temat me karakter teknik.

Qeveria e Kosovës
“Nuk mund të flitet tash për tash për asnjë lloj agjende ose formati të bisedimeve, apo të këtij bashkëpunimi, që ne shpresojmë se do të jetë konstruktiv”.

“Por, në rast se një gjë e tillë ndodh në të ardhmen e afërt, atëherë me siguri se temat, të cilat do të trajtohen, do të jenë pikërisht, siç e kemi thënë, tema të karakterit teknik, të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve në të dyja shtetet”,
shprehet Krasniqi.

Vlerësimi i tij vjen pas deklaratave të disa zyrtarëve serbë, të cilët citohen të kenë thënë se “Serbia do ta modifikojë qasjen ndaj negociatave, varësisht nga formati i tyre”.

Zyrtarët serbë theksojnë se në një dialog të mundshëm mes Prishtinës dhe Beogradit, bisedat për statusin janë të pashmangshme.

Nisur nga qëndrimet e kundërta të Prishtinës dhe Beogradit, në horizont ende nuk ka asgjë të qartë se për çfarë mund të diskutohet në bisedat eventuale.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thotë se Serbia nuk insiston që dialogu me Kosovën të fillojë menjëherë, porse bisedimet, sipas tij, duhet të ndodhin.

“Mendoj se mund të bisedohet, sepse askush nuk duhet të paragjykojë që të gjitha qëndrimet e veta t’ia imponojë palës tjetër. Përkundrazi, mendoj se në këtë pikë nuk guxon të ketë imponime. Interesi është që të dyja palët gjatë bisedimeve t’i valorizojnë interesat e tyre”.

“Interesi është që të kemi stabilitet politik dhe paqe. Kjo nuk do të mund të arrihet nëse nuk hyjmë në bisedime për disa çështje teknike, por në fund kjo do të rezultojë edhe me bisedime për statusin”,
thotë Ivanoviq.

Sipas tij, nëse palët nuk arrijnë mirëkuptim lidhur me bisedimet, atëherë duhet kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, duke mos përjashtuar, siç thotë Ivanoviq, përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë.

Por, zëdhënësi i Qeverisë, Krasniqi, kundërshton prerazi bisedimet që ndërlidhen në çfarëdo forme me çështjen e statusit të Kosovës dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të saj.

“Ajo që është 100 për qind e qartë dhe e sigurt, pa marrë parasysh se çka thotë dhe kush thotë në Beograd apo gjetiu, është se nuk do të ketë asnjë fillim, i cili mund të çojë te bisedat për çështje politike e aq më pak për çështjet tashmë të kryera, siç janë: pavarësia e Kosovës, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm kushtetues”.

“Tek e fundit, kjo është bërë e qartë nga vetë rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”,
thekson Krasniqi.

Në anën tjetër, Ivanoviq, pavarësisht deklaratës së tij se bisedimet e mundshme duhet të çojnë drejt çështjes së statusit, kundërshton qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se asnjëra palë nuk mund të paraqesë në mënyrë eksplicite qëndrimin e vet.

Oliver Ivanoviq
“Së pari, askush nuk është në situatë që në mënyrë eksplicite ta imponojë qëndrimin e tij. Askush nuk është në pozicion që të thotë se për këtë çështje dua të bisedoj, e për një tjetër të thotë nuk dua. Thjesht, ne duhet të kërkojmë zgjidhje, sepse kjo situatë dhe ky status të cilin e ka Kosova, nuk është i definuar dhe nuk është përfundimtar”.

“Është e vështirë që në këtë moment të thuhet, dhe nuk më takon mua të flas, për atë se çfarë është e pranueshme për Serbinë. Ne duhet t’i nisim bisedimet. Deri ku do të na çojnë ato bisedime, askush nuk e di. Është me rëndësi që për këtë të ketë shumë vullnet, sepse kërkohen zgjidhje shumë specifike, të cilat janë jotipike dhe janë të ndryshme nga zgjidhjet në situata të ngjashme”,
deklaron Ivanoviq.

Megjithatë, ai thotë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të duhej të fillonte me një temë, e cila, sipas tij, nuk është kontroverse. Në ketë rast, tema më e qëlluar, thotë Ivanoviq, do të ishte çështja e personave të zhdukur.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG