Ndërlidhjet

Senati francez aprovon ndalimin e ferexhesë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ligjvënësit francezë kanë aprovuar ligjin që ndalon mbajtjen e ferexhesë në publik. Kjo masë ndikon në pakicën myslimane të Francës që mbulon tërë fytyrën me shami.

Dhoma e Lartë e Parlamentit francez, me 246 vota pro dhe vetëm një kundër, ka aprovuar ligjin, i cili e ndalon mbulimin e fytyrës me shami në vende publike.

Para se të hyjë në fuqi, ligji duhet të aprovohet edhe nga Këshilli Kushtetues. Nëse kalon edhe aty, të gjitha gratë që vazhdojnë të shfaqen në opinion me shamitë që mbulojnë fytyrën, do të dënohen me 150 euro.

Nëse verifikohet se burrat i kanë detyruar ato të mbajnë shaminë në fytyrë, atëherë dënimi për burrat do të jetë 30 mijë euro, madje edhe mund të burgosen.

Ndalimi i ferexheve është bërë për vende publike, si: ndërtesat qeveritare, shërbimet publike, rrugët dhe vendet argëtuese.

Përkrahësit e këtij ligji thonë se femrat që mbajnë shamitë në fytyrë përbëjnë rrezik sigurie, bien ndesh me vlerat sekulare të Francës dhe janë kundër dinjitetit të gruas. Kalimi i këtij ligji në Dhomën e Lartë të Senatit bëri krenare para së gjithash ministren franceze të Drejtësisë.

“Unë thjesht mendoj se Republika e Francës mund të jetë sonte krenare për Senatin dhe senatorët e saj”,
tha ministrja Mishel Alliot Marie.

Franca është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në Evropën perëndimore. Atje llogariten se 5-10 % e popullatës 64-milionëshe janë myslimanë, shumica prej të cilëve janë nga Algjeria dhe Maroku.

Shifrat zyrtare thonë se 1900 gra myslimane mbajnë veshjen që mbulon kokën në tërësi, përfshirë edhe sytë.

Kundërshtarët e ligjit thonë se me këtë dhunohen të drejtat civile. Një nga ta është edhe Muhamed Heniche, sekretari gjeneral i Unionit të Asociacioneve Myslimane.

“Është një hap shumë i rrezikshëm, duke bërë ndalesa ndaj lirisë individuale. Ne jemi kundër detyrimit të grave që të mbulohen në tërësi në Iran dhe kundër ndalimit që gratë të veshin pantallona në Sudan”.

“Të njëjtën gjë e themi edhe në Francë - ne nuk e kemi të drejtën t’iu ndalojmë grave që të mbulohen në tërësi. Ne gjithmonë duhet të jemi në anën e gruas. Ne nuk duhet t’i trajtojmë ato si fëmijë”,
tha Heniche.

Një hulumtim i opinionit ka treguar se më shumë se 8 nga 10 francezë e përkrahin ligjin. I njëjti qëndrim po mbahet edhe në Gjermani, Britani dhe Spanjë, ku shumica e popullatës janë në favor të ndalimit të këtyre shamive. Ndërsa, Belgjika tashmë ka nisur procedurat e futjes në fuqi të këtij ligji.

Në mesin e kundërshtarëve të ligjit janë edhe përfaqësues të dy kampeve tërësisht të kundërta me njëra-tjetrën. Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe lideri i militantëve islamikë, Ajman Al Zavahiri, e kanë quajtur këtë ndalim një fyerje ndaj myslimanëve.

Ekspertët thonë se ligji mund të sfidohet vetëm në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, vendimet e së cilët janë obligative. (a.h.)
XS
SM
MD
LG