Ndërlidhjet

Kosova me fushatë për anti-trafikim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Me moton “Vepro me përgjegjësi”, në Kosovë u lansua të mërkurën fushata mujore për anti-trafikim me qenie njerëzore. Autoritetet kosovare në konferencën vjetore anti-trafikim, thanë se Kosova është në rrugë të mirë për ta luftuar këtë dukuri. Ndërkaq, theksuan se, sipas të dhënave zyrtare, Policia e Kosovës brenda 8 muajve ka identifikuar 23 viktima të trafikimit dhe ka arrestuar 72 persona të dyshuar.


Përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare në Kosovë thanë se janë duke bërë përpjekje maksimale për ta luftuar trafikimin me qenie njerëzore.

Ata theksuan se pas kritikave të fundit që janë bërë në drejtim të vendit për mungesë të strategjive për luftimin e trafikimit, nga Departamenti i Amerikan Shtetit Kosova është radhitur e dyta për përkushtim ndaj luftës kundër trafikimit.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, tha se janë duke punuar për hartimin e një strategjie të re të veprimit.

“Progresi që është arritur në policinë tonë me mbi 800 lokale të kontrolluara, me mbi 72 arrestime vetëm për 8-mujorin e parë, me 6 të dënuar dhe lëndë tjera të hapura, si dhe identifikimin e 23 viktimave të trafikimit, tregojnë përkushtimin e Policisë së Kosovës dhe suksesin pas centralizimit të drejtorisë së trafikimit me qenie njerëzore”,
tha Xhelili.

Ndërkaq, sipas të dhënave nga viti 2001, e deri në vitin 2009, janë identifikuar gjithsej 572 viktima të trafikimit, 207 prej të cilave kanë qenë moldave, 137 kosovare, 56 shqiptare, 74 rumune, 46 ukrainase, ndërsa viktimat tjera kanë qenë bullgare, serbe dhe ruse.

Në anën tjetër, Kosova vazhdimisht është kritikuar nga mekanizma ndërkombëtarë për mungesë të strategjive për luftimin e trafikimit të qenie njerëzore.

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit kishte nxjerrë Kosovën si burim, tranzit dhe vend destinimi për femra dhe fëmijë, të cilët janë cak i trafikimit të personave, në mënyrë specifike i prostitucionit të detyrueshëm dhe i fëmijëve, që detyrohen të kërkojnë lëmoshë.

Raporti kishte theksuar se Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në pajtueshmëri të plotë me minimumin e standardeve për eliminimin e trafikimit. Megjithatë, po bën përpjekje të rëndësishme për ta arritur këtë.

Zëvendësministri Xhelili thekson se institucionet e Kosovës janë duke punuar në drejtim të plotësimit të kapaciteteve të plota për të luftuar dukurinë e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Bashkë me reformat dhe progresin që është duke u bërë në gjyqësor, drejtësi dhe në prokurori, ka rezultate të efektshme në drejtim të zvogëlimit të viktimave të trafikimit dhe në drejtim të ndëshkimit të atyre, të cilët janë duke zhvilluar aktivitete kriminale me qenie njerëzore”,
thekson Xhelili.

Ndërkohë, përfaqësuesit e mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë shprehën gatishmëri që edhe në të ardhmen ta mbështesin Qeverinë e Kosovës në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Përfaqësuesja e përhershme e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP, Osnat Lubrani, tha se është koha që të mobilizohet e gjithë shoqëria kosovare për ta luftuar këtë dukuri, e cila është e pranishme në Kosovë.

“Kjo formë e krimit prek çdo rajon të botës. Viktimat janë të të gjitha moshave, të të gjitha gjinive, por numrin më të madh të tyre e përbëjnë gratë, e sidomos vajzat e reja”,
potencoi Lubrani.

Ndryshe, gjatë fushatës mujore anti-trafikim nëpër të gjitha qendrat e Kosovës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme me të rinjtë për të vetëdijesuar popullatën për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
XS
SM
MD
LG