Ndërlidhjet

logo-print

Paqartësitë ende ekzistuese lidhur me kohën, formatin, vendin dhe agjendën e bisedimeve të paralajmëruara, kanë shtyrë deputetët e Kuvendit të Kosovës të kërkojnë krijimin e një dokumenti, në të cilin do të bazohej procesi i bisedimeve. Ata kanë kërkuar gjithashtu një rol më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces. Autoritetet kosovare, ndërkaq, kanë thënë se legjislativi dhe populli i Kosovës do të jenë të informuar me të gjitha zhvillimet lidhur me përmirësimin e bashkëpunimit ndërshtetëror me Serbinë.


Krerët e institucioneve në Kosovë kanë garantuar transparencë të plotë gjatë procesit të paralajmëruar të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kuvendi dhe populli i Kosovës do të jenë të informuar për, siç i quajti ai, angazhimet e institucioneve kosovare për përmirësimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit përfshirë Serbinë.

Hashim Thaçi

“Do të punohet maksimalisht në bashkëpunim me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, pra me Brukselin, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një përkushtim të përbashkët të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës me një informim të drejtpërdrejt të Parlamentit, me një transparencë të plotë të qytetarëve të Kosovës”,
ka thënë Thaçi.


Një varg kritikash lidhur me procesin përgatitor për bisedimet me shtetin serb janë drejtuar në adresë të Qeverisë së Kosovës edhe nga opozita kosovare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, ka thënë se Qeveria e vendit duhet sa më parë të nxjerrë një platformë për dialogun me Serbinë - dokument ky që, sipas tij, duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Nexhat Daci

“Prishtina nuk është e gatshme në asnjë mënyrë. Njëherë nuk e ka krijuar platformën e vet për biseda të tilla. Ajo platformë patjetër duhet të kalojë nëpër Parlamentin e Kosovës, sepse në Parlament janë përfaqësuesit e popullit të Kosovës”
, ka theksuar Daci.


Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, ka propozuar hartimin e një rezolute të Parlamentit në mbështetje të rezolutës së OKB-së dhe mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Hoti ka shprehur domosdoshmërinë që në rezolutën në fjalë të figurojnë dy elemente që kanë të bëjnë me procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
...nuk do të ketë bisedime politike, e nëse për një gjë të tillë do të ketë nevojë - Kuvendi i Kosovës të marrë vendim...


“Njëri është që dialogu, çfarëdo që të jetë ai, të mos ndodhë fare pa praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I dyti, për t’u ikur problemeve se do të ketë dialog të këtij apo atij niveli, në atë rezolutë mund të vihet edhe një mendim tjetër që thuhet se nuk do të ketë bisedime politike, e nëse për një gjë të tillë do të ketë nevojë - Kuvendi i Kosovës të marrë vendim”
, është shprehur Hoti.

Derisa autoritetet kosovare kanë shprehur shpresën se miratimi i rezolutës në Asamblesë në përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të shkaktojë një valë të re të njohjeve të shtetësisë së vendit, zyrtarë të lartë të Beogradit kanë shfaqur besimin se, siç thuhet, ekziston një klimë e favorshme brenda BE-së për përshpejtimin e rrugës së Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se optimizmi i Beogradit vjen pas premtimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton, i bëri palës serbe gjatë negociatave që janë zhvilluar lidhur me ndryshimin e draft-rezolutës serbe.
Ato premtime që i ka marrë Serbia, nuk vlejnë për Kosovën.


“Mendoj se Kosova, në këtë fazë, po i hedh hi syve të vetvetes. Kosova nuk e di, Qeveria e Kosovës nuk e di - ose e di e nuk tregon, se Serbia ka marrë premtime prej Unionit Evropian. Ato premtime që i ka marrë Serbia, nuk vlejnë për Kosovën”
, është shprehur Gjini.
XS
SM
MD
LG