Ndërlidhjet

IHT: Romët dhe BE-ja


Familje rome e larguar nga Franca.

Familje rome e larguar nga Franca.

International Herald Tribune

Shkruan: Xhejms A. Goldston


Komisionarja e Bashkimit Evropian për Drejtësi, Viviene Reding, është e bindur “personalisht se Komisioni Evropian nuk ka zgjidhje tjetër përpos të iniciojë aksione të thyerjes së ligjit kundër Francës”, pasi kjo e fundit nisi largimin e detyrueshëm të romëve nga kampet e tyre.

Pse Komisioni nuk reagoi kaq ashpër për masat kundër romëve në vendet e tjera të BE-së, të cilat Komisioni Evropian i ka injoruar deri më tash?

Të gjithë entuziastët e reagimit të Komisionit kundër Francës duhet të kujtohen për gjithë atë kohë që iu desh Komisionit të reagojë.

Para së gjithash, deri para pak ditësh, zyrtarët e Komisionit thoshin se ata nuk kanë parë “asnjë qëllim që po ndërmerren aksione të qëllimshme kundër romëve” në Francë, me gjithë faktet evidente që tregonin të kundërtën.

Çështja tani nuk është nëse romët janë marrë në shenjë apo jo, pasi kjo është verifikuar se ata ishin caku. Tani çështja më shumë është nëse deklarimet e fundit janë prekje në sedër e një komisionareje apo një ndryshim fundamental i politikave në Bruksel.

Por, janë provat që do e sqarojnë këtë çështje.

Së pari, a do ta dërgojë Komisioni Evropian Francën para gjyqit? Hose Manuel Baroso, presidenti i KE-së, ka mbajtur një heshtje hidhëruese për këtë çështje.

Së dyti, edhe nëse Komisioni vazhdon tutje me këtë rast, a është Franca i vetmi vend që do të përballet me pasoja apo Komisioni do të aplikojë bindjen e tij të sapogjetur të moralit në çështje të barazisë racore kundrejt vendeve të tjera të BE-së.

Të marrim si shembull Italinë. Në maj të vitit 2008, ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, raportohet se njoftoi shkatërrimin e kampeve të romëve, ndërsa dy ditë më vonë një grup banditësh prej 60 vetave sulmuan kampin e romëve në Napoli me koktej molotovi. Pas këtij sulmi, ministri italian tha: “Kështu ndodh kur romët vjedhin foshnje apo kur romët kryejnë dhunime seksuale.”

Komisioni ende nuk ka bërë gjë për këtë dhe raste të tjera që kanë ndodhur në Itali kundër romëve.

Rastet vazhdojnë edhe në vende të tjera si Danimarka, ku, në korrik, një grup njerëzish, të identifikuar nga kryebashkiaku i Kopenhagës si “kriminelët romë”, u larguan nga ky vend. As në këtë rast, Brukseli nuk e tha asnjë fjalë.

Nëse reagimet e komisionares Reding rezultojnë në një ndryshim afatgjatë, Komisioni duhet që, duke iu referuar masave franceze, të dërgojë edhe veprimet e qeverive të tjera në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Gjyqtarët aty duhet ta bëjnë të qartë se racizmi nuk ka vend në Evropën e sotme. (a.h.)
XS
SM
MD
LG