Ndërlidhjet

Arrestimet, a rregullojnë tregun e naftës?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Arrestimi i pesë personave nga ana e EULEX-it, nën dyshimin për kontrabandë me derivate të naftës, mund ta rregullojë tregun e naftës në Kosovë, kanë vlerësuar ekspertët për çështje ekonomike. Sipas tyre, për këtë çështje autoritetet kompetente duhet të identifikojnë edhe persona tjerë të dyshuar, përderisa zyrtarë të Doganave të Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për të luftuar korrupsionin.

Në vazhdën e hetimeve që EULEX-i po zhvillon në lidhje me korrupsionin, pjesëtarë të këtij misioni dhe Dogana e Kosovës, të mërkurën kanë arrestuar pesë persona, si të dyshuar për kontrabandë me derivate të naftës, ndërsa dy të dyshuarit të tjerë, sipas EULEX-it, momentalisht gjenden jashtë Kosovës.

Po të mërkurën, ky mision ka bastisur mbi dhjetë lokacione të ndryshme nëpër Kosovë nën dyshimin për kontrabandë me derivate të naftës.

Ndryshe, kontrabanda me naftë dhe derivate të saj, ka kohë që ka qenë problem shqetësues për Doganat e Kosovës.

Ekspertë për çështje ekonomike kanë vlerësuar se kontrabanda me derivate të naftës, pas pavarësisë së Kosovës, vazhdon të jetë një nga dukuritë më të shpeshta në vend, madje në shumicën e rasteve kontrabanda, sipas tyre, bëhet në pikat kufitare në veri të Kosovës.

Adriatik Stavileci, zyrtar për informim në Doganat e Kosovës, ka thënë se malli më i kërkuar për kontrabandë, në të gjitha pikat kufitare, posaçërisht në atë të Mitrovicës, është nafta dhe derivatet e saj.

“Jo vetëm në veri të Mitrovicës, por në përgjithësi kontrabanda është e orientuar në kontrabandimin e mallrave që kanë më së shumti taksa. Në këtë rast, edhe nafta është një prej mallrave, që paguan shumë taksa dhe paguan edhe taksën e akcizës”.

“Kjo e bën atë mall si cak apo qëllim të kontrabandistëve të ndryshëm, të cilët tentojnë të përfitojnë përmes kontrabandimit të saj”, ka thënë Stavileci.

Ndërkohë, mediat vendore në Kosovë shkruajnë se pesë biznesmenët tashmë të arrestuar në bashkëpunim me pjesëtarë të KFOR-it francez dhe ukrainas, dyshohet se nga Serbia kanë futur në Kosovë mbi 3 milionë litra naftë kontrabandë, vlera e së cilës arrin rreth 1.5 milion euro.

Në anën tjetër, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, veriu i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, është burim i kontrabandës se naftës.

Duke e vlerësuar si pozitiv aksionin e EULEX-it, pas arrestimit të personave të dyshuar si kontrabandues, Musa Limani, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka pohuar se arrestimi i tyre mund ta rregullojë edhe tregun e industrisë së naftës në Kosovë.

“Pasi këto dy pika doganore, 1 dhe 31, nuk janë kontrolluar, normalisht që janë burimi kryesor. Kjo nuk do të thotë se edhe në pikat tjera nuk kanë hyrë mallra kontrabandë, por besoj shumë më pak se në këtë pjesë të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë pasur qasje të kontrollit. Prandaj, ato janë futur në këtë pjesë në mënyrë të pakontrolluar”, është shprehur Limani.

Megjithatë, Limani ka shtuar se autoritetet kompetente duhet të bëjnë identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të dyshuar që merren me kontrabandim të mallrave.

“Duhet të merren masa shumë rigoroze për të gjithë ata që dyshohet dhe ka indikacione se kanë keqpërdorur, qoftë mjete buxhetore, për kontrabandë ekonomike, krim të organizuar ose çfarëdo çrregullimi tjetër që është anti-ligjor dhe antikushtetues, duhet të merren masa, pavarësisht personit dhe postit të tij”, ka vlerësuar Limani.

Adriatik Stavileci, nga Doganat e Kosovës, ka theksuar se ky institucion vazhdimisht merret me identifikimin e personave të dyshuar për këtë çështje.

“Dogana gjatë gjithë kohës punon në identifikimin e personave të ndryshëm dhe identifikimin e çështjeve të ndryshme të kontrabandimit të naftës, apo të produkteve tjera”, ka theksuar Stavileci.

Ndryshe, EULEX-i në muajin prill kishte filluar bastisjet e para lidhur me dyshimet për korrupsion, ku bastisjet kishin filluar në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit të Kosovës, duke vazhduar më vonë në ndërtesën e Postë-Telekomin e Kosovës. Pastaj, kishin arrestuar këshilltarin e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Tolaj, i cili qe liruar nga arresti, pasi kishte paguar 50 mijë euro kaucion.

Ndërsa, në paraburgim për këtë çështje vazhdon të jetë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, i cili qe arrestuar në fund të muajit korrik.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG