Ndërlidhjet

logo-print

NATO: Vendet ta rishqyrtojnë përmasën e tërheqjes nga Kosova


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka kërkuar nga aleatët që ta rishqyrtojnë ritmin e tërheqjes së trupave nga Kosova, në mënyrë që të sigurohet se forcë e mjaftueshme mbetet, për mbajtjen e stabilitetit dhe paqes.

Zoti Rasmussen theksoi se NATO-ja e planifikon zvogëlimin e misionit të KFOR-it në Kosovë, që ishte vendosur në vitin 1999, por reduktimet duhet të bëhen në mënyrë kolektive.

“Më lejoni të theksoj se të gjithë partnerët brenda KFOR-it, aktualisht po e shqyrtojnë reduktimin e pranisë ushtarake në Kosovë”, tha Rasmussen, mbrëmë në Bruksel, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Çekisë, Petr Neças, i cili planifikon që vendi i tij t’i zvogëloj trupat në Kosovë.

“I kam inkurajuar të gjithë partnerët e KFOR-it, që ta rishqyrtojnë përmasën e reduktimeve të tyre”, tha Anders Fogh Rasmussen.

Më herët, ministri i mbrojtjes i Çekisë, Aleksandr Vondra, i kishte shpallur planet për zvogëlimin e kontigjentit të ushtarëve çekë në kuadër të KFOR-it, prej 330, sa janë aktualisht, në 90 ushtarë.

Por, vendet që kontribuojnë me trupa në Kosovë, vendosën mbrëmë, në takimin në Bruksel, që ende nuk ishin krijuar kushtet për reduktime të reja.

Aktualisht, misioni i KFOR-it në Kosovë, në fillim të këtij viti ishte reduktuar nga 15 mijë ushtarë, në 10 mijë. Hapi i ardhshëm pritet të jetë në 7500 ushtarë.
XS
SM
MD
LG