Ndërlidhjet

NATO: Të rishqyrtohet përmasa e tërheqjes nga Kosova


Anders Fog Rasmusen
Anders Fog Rasmusen
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, kërkoi nga aleatët që ta rishqyrtojnë ritmin e tërheqjes së trupave nga Kosova, në mënyrë që të sigurohet se mbetet forcë e mjaftueshme për mbajtjen e stabilitetit dhe paqes.

Zoti Rasmusen theksoi se NATO-ja e planifikon zvogëlimin e misionit të KFOR-it në Kosovë, që ishte vendosur në vitin 1999, por reduktimet duhet të bëhen në mënyrë kolektive.

“Më lejoni të theksoj se të gjithë partnerët brenda KFOR-it aktualisht po e shqyrtojnë reduktimin e pranisë ushtarake në Kosovë”, tha Rasmusen mbrëmë në Bruksel, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Çekisë, Peter Neças, i cili planifikon që vendi i tij t’i zvogëlojë trupat në Kosovë.

“I kam inkurajuar të gjithë partnerët e KFOR-it, që ta rishqyrtojnë përmasën e reduktimeve të tyre”, tha Anders Fog Rasmusen.

Më herët, ministri i mbrojtjes i Çekisë, Aleksandr Vondra, i kishte shpallur planet për zvogëlimin e kontingjentit të ushtarëve çekë në kuadër të KFOR-it, prej 330, sa janë aktualisht, në 90 ushtarë.

Por, vendet që kontribuojnë me trupa në Kosovë thanë mbrëmë, në takimin në Bruksel, se ende nuk janë krijuar kushtet për reduktime të reja.

Misioni i KFOR-it në Kosovë, në fillim të këtij viti, ishte reduktuar nga 15 mijë ushtarë në 10 mijë. Hapi i ardhshëm pritet të jetë në 7500 ushtarë.
XS
SM
MD
LG