Ndërlidhjet

Marrëveshja “START” kalon pengesën kryesore legjislative në Senatin amerikan


Uashington
Uashington
Një komitet i Senatit amerikan ka aprovuar një marrëveshje për kontrollimin e armëve bërthamore me Rusinë, duke e çuar më afër realitetit qëllimin kryesor të politikës së jashtme të presidentit Obama. Marrëveshja për Reduktimin Strategjik të Armëve apo nëse shikohen inicialet në anglisht, marrëveshja “START”, është aprovuar nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan, me 14 vota pro dhe 4 kundër.


Për t’u aprovuar marrëveshja, ajo duhet të miratohet nga i tërë Senati amerikan.

Për të kaluar këtë provë të fundit, Marrëveshja për Reduktimin Strategjik të Armëve duhet të marrë 67 vota pro apo 2/3 e votave të Senatit, që nënkupton, përpos demokratëve, edhe 8 vota pro nga republikanët.

Udhëheqësi i komitetit që e aprovoi marrëveshjen, senatori demokrat, Xhon Keri, e quajti atë “një nevojë urgjente të sigurisë kombëtare.”

Marrëveshja e re “START” u nënshkrua në muajin prill të vitit të kaluar nga presidenti Barak Obama dhe homologu i tij rus, Dmitri Medvedev.

“START”-i i ri ka për qëllim t’i reduktojë armët bërthamore për 30 %, pra duke zvogëluar këto armë nga 2200, sa kanë tani këto dy vende, në 1550.

Marrëveshja gjithashtu përmban edhe protokolle të reja të verifikimit, me qëllim që secila palë, siç ka thënë edhe ish-presidenti Ronald Regan, “beso, por verifiko” që edhe pala tjetër po u përmbahet rregullave.

Parlamenti rus ende nuk e ka votuar këtë marrëveshje. Ndërkaq, votimi final në Senatin amerikan është shtyrë, pasi Shtëpia e Bardhë është në kërkim të përkrahjes së marrëveshjes nga senatorët e opozitës republikane.

Një nga republikanët që votoi pro marrëveshjes në fjalë, është edhe senatori nga Tenesi, Bob Korker.

“Unë ndjehem shumë më rehat nga fakti se do të kemi më shumë njerëz në Rusi që do të verifikojnë respektimin e marrëveshjes, sesa që kemi tani”, tha Korker.

Megjithatë, kolegu i tij nga Partia Republikane, Xhim De Mint, është i vendosur që të kundërshtojë marrëveshjen, duke ofruar edhe një amendament që, sipas tij, do ta zvogëlojë rrezikun e Amerikës në aspektin e sigurisë.

"Nuk ka asgjë në marrëveshjen e re ‘START’ që ofron mbrojtje për popullin amerikan. ‘START’ mbështetet në supozimin se shkatërrimi i ndërsjellë është i siguruar”, vlerësoi De Mint.

Senatori De Mint gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që marrëveshja e re do ta lejojë Amerikën të ndërtojë sistem të mbrojtjes raketore. Ky vlerësim nxiti reagimin e ashpër të senatores demokrate, Xhini Shahin.

“Mos po sugjeroni që nëse ne nuk e votojmë atë amendamentin tënd, kjo do të thotë se ne, në një formë, nuk po e mbrojmë këtë vend dhe se nuk besojmë që duhet mbrojtur vendi nga armiqtë e tij? Nëse kjo është ajo që po thoni senator, atëherë më vjen shumë keq për këtë qëndrim”, tha senatorja Shahin.

Përpos kësaj kishte edhe polemika të tjera gjatë debatit që u zhvillua në Komitetin e Senatit amerikan, përfshirë edhe paralajmërimin që një senator republikan tha se e kanë bërë përfaqësues të komunitetit të Inteligjencës amerikane.

Mirëpo, udhëheqësi i komitetit, Xhon Keri, reagoi duke kërkuar respektim të ruajtjes së informatës sekrete.

"Është e pavend që ne të diskutojmë në një seancë të hapur çfarëdo pjese të asaj që iu është bërë me dije disa njerëzve gjatë ditëve të fundit", tha senatori demokrat.

Megjithatë, Xhon Keri tha se ata nuk do të vazhdonin me votimin në favor të marrëveshjes nëse vlerësimet e Inteligjencës amerikane do ta thoshin të kundërtën.

Sidoqoftë, senatori republikan, Xhejms Risç, pas votimit i dha një intervistë revistës “Foreign Policy”, të cilës i tha se informatat e Inteligjencës amerikane janë shqetësuese rreth mundësisë së mashtrimit nga ana ruse, sa i përket kontrollimit të armëve bërthamore. (a.h.)

XS
SM
MD
LG