Ndërlidhjet

logo-print

Serbët e Kosovës kërkojnë pjesëmarrje në bisedime


Prishtinë

Prishtinë

Serbët e Kosovës që marrin pjesë në institucione, kanë shfaqur gatishmërinë që të jenë pjesë e delegacionit kosovar në bisedimet e mundshme me Serbinë.

Kryetari i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se është e natyrshme që serbët të jenë pjesë e delegacionit kosovar.

Sllobodan Petroviq
“E në ç’delegacion tjetër mund të jemi? Ne jemi pjesë e institucioneve dhe mendojmë se do të ishte e natyrshme që të jemi në këtë delegacion. Në anën tjetër, interesat, qëllimet tona janë të drejtuara kah komuniteti serb, normalisht jo në dëm të komuniteteve të tjera”.


“Këto janë gjëra që, para së gjithash, janë konfirmuar edhe në vetë rezolutën… Këto janë bisedime teknike, të cilat do të kenë ndikim te njerëzit që jetojnë këtu”,
tha Petroviq.

Ndërsa nuk dihet ende formati i bisedimeve, Sllobodan Petroviq pret që ato të jenë praktike dhe të ndihmojnë jetët e qytetarëve. Ai pret ndonjë ofertë nga institucionet e Kosovës që edhe partia e tij të përfshihet në bisedimet e mundshme.

“Nuk kam dëgjuar që dikush ka ofertë për pjesëmarrje. Njerëzit e rëndomtë janë të interesuar për fatin e tyre. Natyrisht, ata do të donin që në ndonjë mënyrë përfaqësuesit e tyre të jenë të pranishëm, nëse për asgjë tjetër, të paktën të marrin informacione nga dora e parë”.

“Ne nuk jemi ata që iniciojmë, por thjesht e njohim përgjegjësinë dhe kjo është diçka që e veçon Partinë Liberale Serbe, e cila që disa vjet lufton për interesat e komunitetit të vet”, tha Petroviq.

Në anën tjetër, politikani i pavarur serb, Dragisha Kërstoviq, tha se serbët e Kosovës duhet të jenë të përfshirë në këto bisedime.
...serbët duhet të jenë të përfshirë në këtë proces.

“Si do të jetë kjo, a do të jenë në ekipin e Prishtinës, që do të flasë me Beogradin, apo do të jetë ndonjë ekip i veçantë i komunitetit serb, kjo është çështje tjetër dhe më shumë teknike, sesa politike. Por, serbët duhet të jenë të përfshirë në këtë proces”, tha Kërstoviq.

Agjenda e bisedimeve Kosovë-Serbi nuk është caktuar ende, bisedime këto që kërkohen me rezolutën e sponsorizuar nga Serbia dhe BE-ja, e të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Prishtina zyrtare ka bërë të qartë se në bisedime do të diskutojë vetëm çështjet teknike, që nuk kanë lidhje me statusin. Ndërkohë, nga Beogradi zyrtar vijnë sinjale se për ta, çështja e statusit ende nuk është e mbyllur.

Por, vetë disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, që ndjekin një vijë më të moderuar, theksojnë se me rëndësi është që të zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me përditshmërinë, si: lëvizja e lirë, arsimi, shëndetësia.

Politikanë nga veriu i Kosovës janë shprehur kundër rezolutës së miratuar në OKB dhe, për me tepër, e kanë quajtur presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, si tradhtar të popullit serb.
XS
SM
MD
LG