Ndërlidhjet

logo-print

Vreshtarët ndërpresin protestën


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Mbaroi me 21 të plagosur e pa zgjidhje protesta e vreshtarëve të Rahovecit, që rrezikojnë të humbin 10 milionë euro nga prodhimi i këtij viti.

Pa arritjen e ndonjë zgjidhjeje për prodhimet e tyre, vreshtarët e Rahovecit kanë ndërprerë protestën që po e mbanin në qendër të qytetit.

Vreshtarët dhe banorët e Rahovecit, të cilët kanë protestuar të premten më orë të tëra kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe kompania “Stone Castle” që t’u krijojnë një vend për grumbullimin e rrushit.

Protesta kishte dalë nga kontrolli dhe si pasojë janë lënduar 21 vreshtarë dhe banorë të Rahovecit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se protesta ka përfunduar dhe situata tani është nën kontroll.

Megjithatë, sipas Berishës, një numër i protestuesve kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia e Kosovës
Gjithçka ka përfunduar me marrëveshje, pas ardhjes së drejtorit të policisë rajonale të Prizrenit. Sipas të dhënave që kemi, rreth 21 qytetarë kanë kërkuar ndihmën mjekësore”, ka bërë të ditur Berisha.

Edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve, Labinot Shulina, ka konfirmuar ndërprerjen e protestës, por ka paralajmëruar se nëse nuk do të bëhet një zgjidhje deri të hënën, protestat e vreshtarëve do të fillojnë përsëri dhe ato do të jenë më masive.

“Ne, shoqata, jemi nën presion të këtyre protestuesve dhe mezi kemi arritur të bëjmë një marrëveshje me ta që deri të hënën ta bëjmë një pushim që t’i japim kohë Qeverisë që ta marrë këtë problem më seriozisht. Pas së hënës, çdo gjë është me vonesë. Ky popull do të vijë në Prishtinë dhe do t’i drejtohet Qeverisë dhe çdo gjë do të bllokohet edhe në Prishtinë sikurse këtu sot”,
është shprehur Shulina.

Në anën tjetër, prodhuesi më i madh i verës në komunën e Rahovecit, i cili pas privatizimit mori emrin “Stone Castle”, tashmë është deklaruar se sivjet nuk do të marrë asnjë kilogram rrush nga vreshtat e Rahovecit.

“Stone Castle” këtë vendim e kishte arsyetuar me rezervat e mëdha dhe mungesën e vendit për deponim të rrushit, rakisë e verës.

Sipas kësaj kompanie, eksporti i verës nga Kosova është goditur rëndë nga bllokada që po e bëjnë vendet përreth, e më së shumti nga ajo e Serbisë që kishte shërbyer si rrugë transiti, por edhe nga Mali i Zi e Maqedonia.

Në komunën e Rahovecit janë të diku rreth 3 mijë e 500 hektarë vreshta, ndërkaq humbjet, sipas përfaqësuesve të vreshtarëve, mund të jenë miliona euro.

Ministri i Bujqësisë, Blernad Stavilevci, ka thënë se nuk dëshirojnë të interferojnë në relacionet midis prodhuesve dhe përpunuesve, por janë mundur që të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

“Në bazë të parimeve të ekonomisë së tregut, nuk do të duhej të intervenonim, por ne kemi gjetur një mënyrë se si t’i mbështesim prodhuesit tanë vreshtarë dhe, në anën tjetër shihet se gjithçka graviton nga kjo ndërmarrje, e cila grumbullon më shumë se 10 milionë kg rrush. Prandaj edhe ata duhet parë të gjitha mundësit që t’i hapin bodrumet për të grumbulluar rrushin e vreshtarëve”
, ka thënë Stavilevci.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG