Ndërlidhjet

Afganët të kujdesshëm para zgjedhjeve

  • RFE /RL

Përgatitjet për zgjedhje...

Përgatitjet për zgjedhje...

Kabuli është një qytet që edhe në kushtet më normale, praninë e forcave të sigurisë e ka shumë të dukshme. Në prag të zgjedhjeve të 18 shtatorit, policët dhe ushtarët kanë ndërtuar pika ndalimi të përkohshme në shumicën e kryqëzimeve dhe në afërsi të zyrave shtetërore.

Ndërtesat qeveritare janë veshur me mbulesa mbrojtëse ndaj shpërthimeve dhe janë rrethuar me automjete ushtarake, tej mase të armatosura dhe me një numër të madh të ushtarëve në to.

Të gjitha këto masa e bëjnë Kabulin një nga vendet më të sigurta në Afganistan, megjithëse, viteve të kaluara, shpërthimi i bombave ka qenë dramatik.

Dita e zgjedhjeve e bën këtë vend veçanërisht nervoz. Kjo ndodh pasi para të gjitha zgjedhjeve, talibanët gjithmonë kërcënojnë me sulme kundër qeverisë dhe votuesve.

Njerëzit, rrugëve të Kabulit, ndonëse thonë se do të votojnë, ata mbajnë familjet e tyre shumë afër shtëpisë.

Një nga ta është edhe Haxhi Muhamad Gul.

"Nëse e krahasojmë me ditët e tjera, gjatë ditës së zgjedhjeve unë personalisht jam i kujdesshëm të mos shkoj te vendet e panevojshme. Unë do të përpiqem që t’i evitoj edhe ato vende ku duhet të shkoj, pasi është e mundshme që diçka e keqe të ndodhë dhe të shfaqen disa probleme”, thotë Gul, i cili është edhe pronar i një dyqani.

Ministri i Brendshëm i Afganistanit, Zemarai Bashiri, foli për Radion Evropa e Lirë edhe për planet në përballjen me sulme të ndryshme terroriste, që mund të ndodhin më 18 shtator.

"Plani është përgatitur në atë mënyrë që të ndalojë çdo kërcënim të mundshëm, ndoshta bomba vetëvrasëse, ndoshta sulmeve të tjera, sulme ndaj policisë apo në vendet e votimit”,
tha ministri Bashir.

Vitin e kaluar, talibanët kryen disa sulme para dhe ndërmjet raundeve të zgjedhjeve presidenciale në Afganistan. Ndërkaq sivjet, deri më tash, kryengritësit islamikë nuk kanë kryer asnjë sulm.

Ministri afgan i Brendshëm, Bashir, tha se nuk ka pasur nevojë që të rritet numri i policëve, pasi 15 mijë oficerët policorë të Kabulit janë në gjendje gatishmërie dhe që të gjithë do të jenë të angazhuar gjatë 24 orëve të zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 18 shtatorit në Afganistan, gati 2500 kandidatë po garojnë për një vend në Parlamentin 249-vendesh të këtij shteti. Sipas zyrtarëve zgjedhorë, mbi 1 mijë qendra votimi nuk do të hapen, për shkak të rrezikut të sulmeve.

Edhe rezultatet do të marrin një kohë të gjatë, pasi të dhënat paraprake të zgjedhjeve të 18 shtatorit do të jepen vetëm më 8 tetor, ndërsa rezultatet finale më 30 tetor. (a.h.)
XS
SM
MD
LG