Ndërlidhjet

logo-print
Edhe pse zyrtarët e institucioneve të Kosovës kishin parashikuar se pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së dhe pas mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku u miratua rezoluta e Serbisë dhe BE-së për Kosovën, do të ketë një valë të njohjeve për pavarësinë e Kosovën, kjo nuk doli të jetë ashtu, thonë përfaqësuesit e Klubit për Politikë të Jashtme.

Por, në Mistrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, vazhdojnë të përsërisin se janë duke punuar sa më shumë dhe numri i njohjeve për vendin pritet të rritet.

Qerim Qerimi këshilltar në Ministrinë e Jashtme thotë se ministri i Hyseni ka marrë premtime nga shumë shtete që së shpejti do ta njohin pavarësinë e Kosovës.

"Prej indikacioneve, ose shenjave që kemi, e që mbështeten në mënyrë të konsiderueshme mbi deklarata e vetë përfaqësuesve të vendeve që nuk e kanë njohur ende, ne presim se do të ketë njohje, por nuk do të mund të themi publikisht dhe jo, e pakta, përpara sesa vendimet të komunikohen nga vetë shtetet që vendosin ta njohin Republikën e Kosovës”, bën të ditur Qerimi.

Megjithatë, Qerimi nuk dëshiron të flasë shumë rreth premtimeve që janë dhënë nga vetë ministri i Jashtëm Hyseni se pas mendimit këshillëdhënës të GJND-së, do të rritet numri i njohjeve për Kosovën.

Por, ai pohon se ministri ka deklaruar atë çka i është premtuar nga përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur deri tash Kosovën.

“Ministri ka marrë një numër premtimesh nga përfaqësuesit e shteteve të ndryshme se pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të GJND-së, do të vendosin për shqyrtim njohjen e Republikës e Kosovës. Dhe, çfardo deklarimi që është bërë sa i përket njohjeve në periudhën e pasmendimit të GJND-së, i referohet këtij fakti, do të thotë deklaratave të përfaqësuesve të vetë shteteve, të cilët kanë deklaruar se do ta vendosin për shqyrtim njohjen pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”,
shprehet Qerimi.

Qeveria e Kosovës

Ndryshe, gati dy muaj që nga dhënia e mendimit të GJND-së, i cili sqaroi se pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, por edhe pas miratimit të rezolutës së Serbisë dhe BE-së për Kosovën, në OKB, numri i njohjeve vazhdon të mbetet në 70.

Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës është Honduarsi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Klubit për Politikë të Jashtme konsiderojnë se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës nuk janë duke punuar seriozisht për çështjen e njohjeve.

Arritja e njohjeve të reja për vendin, duhet të jetë një nga prioritete kryesore për institucionet e vendit, thotë Ardian Arifaj nga KPJ-ja.

Sipas tij, premtimet se pas GJND-së Kosova do të fitojë një numër të madh njohjesh, siç duket, doli të mos jenë të sakta.

Thjesht, këto i shohim si qasje jo serioze ndaj një çështjeje shumë serioze për Kosovën. Për fat të keq kemi një qasje joserioze dhe po ashtu edhe deklarata jo serioze, të cilat siç po shihet nuk po përmbushen”.

“Pra, nuk kanë qenë deklarata të bazuara në fakte, në të dhëna të besuara kredibile, po informata jo të sakta të paqëndrueshme, të cilat më shumë i kanë përdorur për një marketing politik brenda Kosovës, sesa për të treguar një realitet ose një sukses të Kosovës”,
thotë Arifaj.

Arifaj konsideron se institucionet kosovare, nuk duhet të presin vetëm nga miqtë e tyre që të lobojnë, por një gjë e tillë, sipas tij, duhet të bëhet nga vetë Ministria e Punëve të Jashtme, ambasadorët dhe krerët e shtetit.

“Nuk mjafton që vetëm ata që po i quajmë miq të Kosovës të lobojnë për Kosovën. Është esenciale që vet përfaqësuesit e Kosovës të provojnë të kontaktojnë me vendet që nuk na kanë njohur, edhe t’i bindin me argumente të qarta pse ata duhet ta njohin Kosovën”.

“ Njohja nga pesë vendet e BE-së, që ende nuk na kanë njohur, duhet të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë, apo krejt lidershipit politik të Kosovës”,
thekson Arifaj.

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, do të udhëtojnë përsëri këtë fundjavë në Nju Jork.

Siç bëhet e ditur nga Kabineti i kryeministrit, pritet që në kuadër të aktiviteteve të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës, presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi të takohen me shumë përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët ndodhen në Nju Jork në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Lexoni edhe këtë: Njohja e Kosovës, mesazh për BE-në
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG